Komuna e Gjilanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinore dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për projektin e Banimit Social Adekuat.
Në njoftimin e komunës thuhet se ky projekt ka si qëllim përmirësimin e kushteve të banimit për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përfshirë edhe grupet më të cenueshme të shoqërisë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ky projekt kap vlerën prej 37 milionë eurosh, derisa theksoi se qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Kryetari i komunës, tregoi disa nga pikat kryesore të këtij projekti janë: Ndërtimi i projekteve të reja për banim social. Rinovimi i njësive ekzistuese të banimit social. Rindërtimi apo rinovimi i shtëpive private për familjet e cenueshme.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, tha se përkushtimi për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës vazhdon, dhe jam i bindur se ky projekt do të sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme për ata që kanë më shumë nevojë. /Telegrafi/