Site icon Telegrafi

Kollçaku: Ligji i Pagave është ligj elektoral

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku në një intervistë në emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi ka thënë se Ligji i Pagave është ligj elektoral.

Kollçaku duke folur për prioritet e qeverisë së ardhshme ka thënë se, që nga miratimi i këtij Ligji ka pasur shumë parregullsi.

“Është trumbetuar shumë për një Ligj të Pagave, i cili është vendosur një klauzolë që do të filloj së zbatuari në fund të vitit, por që nuk ndodhi. Ne si subjekt i kemi pasur vërejtjet tona për Ligjin, sepse ka pasur shumë parregullsi. Por për sa i përket për punëtorët ne kemi qenë për koeficientin 6 [një koeficient është 239 euro]. Pagat janë rritur njëanshëm dhe është ligj elektoral”, tha Kollçaku.

Ajo ka folur edhe për grevat e paralajmëruar nga sindikatat pas pezullimit të Ligjit për Paga nga Gjykata Kushtetuese, duke thënë se sindikatat duhet të mbrojnë interesin e punëtorëve.

“Për sa i përket sindikatave është se ato duhet t’i kthehen bazës, t’i kthehen njerëzve që kontribuojnë për këto sindikata, të mbrojnë interesin e punëtorit dhe të mos kemi sindikata që më së shumti bashkëpunojnë me pushtetin. Është e padrejtë që këto sindikata t’i adresojnë problemet Qeverisë së re, pasi që këto dy subjekte [LVV dhe LDK] kanë pasur shumë vërejtje dhe nuk e kanë votuar këtë Ligj të Pagave, sepse ka pasur pakënaqësi. Ne jemi për sindikata të forta, sepse e vendos qeverinë në një ankth dhe e di që dikush të vëzhgon për punën tënde”, ka shtuar ajo.

Lexo po ashtu Deputetët kërkojnë reforma të thella sektoriale, veçanërisht në shëndetësi dhe mirëqenie sociale

Gjithashtu, Kollçaku ka folur edhe për sfidat dhe prioritetet që duhet t’i ketë qeveria e ardhshme në mandatin e saj. /Telegrafi/

Exit mobile version