Derisa një kashore virus me “kurorë”, për vetëm muaj arriti të na tkurrë dhe të na vë para panikut në shkallë botërore, atëherë shtrohet pyetja se kush është zot i kësaj toke: njeriu apo mikrobota?
Epidemitë dhe pandemitë e mëdha mortore që shënuan epokat, si lia e madhe me 300 milionë të vdekur, fruthi i bardhë me 200 milionë të vdekur, murtaja e zezë me 100 milionë të vdekur, gripi spanjoll me 30-100 milionë të vdekur… mandej kolera, lepra, gripi aziatik, AIDS-i, Ebola, SARS-i, H1N1 etj. na bëjnë të mendojmë se pikërisht në momente kritike, kur njerëzimi futej në dinamika të çmendura, qofshin ato luftëra të mëdha apo degradime morale, materiale e mjedisore, dalin disa mikroorganizma që marrin kontrollin për të rivendosur “rendin” planetar.
Dhe, sot, kur koronavirusi pothuajse na tkurri duke na e zvogëluar perimetrin deri në vatrën familjare, do të ishte mirë të ndajmë pak kohë për reflektim dhe t’ia shtrojmë disa pyetje vetes sonë:
– A vlen më shumë pasuria e madhe që na i mori pjesët ma të bukura të jetës me çmimin e humbjes së një përqafimi të imponuar nga mikrobota?
– A vlen ma shumë një makinë hiperluksoze për të cilën do të paguajmë këste mujore për shumë vite, apo një maskë me e mbyllë gojën apo një rrotull letre tualeti me e fshi prapanicën?
– Dhe, në fund, kur të rrimë më gjatë me fëmijët tanë, kur të luajmë më shumë me ta, dhe kur mbrëmjeve do t’ua tregojmë përrallat që na i tregonin dikur nanat dhe gjyshet tona… atëherë do të kuptojmë se sa pjesë të bukura të jetës i kemi humbur nga ky vrapim i çmendur drejt askundit.