Ronald Koeman është pranë zyrtarizimit në postin e trajnerit të Barcelonës, para fillimit të sezonit 2020/2020. Strategu holandez do ta zë vendin e Quique Setien, i cili u shkarkua të hënën, pas eliminimit turpërues nga Liga e Kampionëve.
Mirëpo, siç raporton AS, ai nuk ishte zgjedhja e parë e presidentit të Blaugranëve, Josep Maria Bartomeu.
Kreu i klubet ka dashur që legjenda e skuadrës, Xavi Hernandez, ta merrte drejtimin. Ai madje e kishte kontaktuar ish-mesfushorin spanjoll para ndeshjes kundër Bayern Munichut, pasi e dinte që Setien nuk do të vazhdonte më si trajner.
Në fakt, Bartomeu e kishte kontaktuar Xavin që kur e kishte shkarkuar Ernesto Valverden, mirëpo ai nuk dëshironte të punojë nën drejtimin e atij menaxhmentit, në veçanti drejtorit sportiv, Eric Abidal.
Asokohe, presidenti e angazhoi Setienin, ndërsa edhe pas shkarkimit të tij e kontaktoi sërish Xavin dhe trajneri i Al-Sadd përsëri refuzoi, duke qenë se e ka vazhduar kontratën me klubin e tij për ndërtimin e një skuadre të re, si edhe ka akoma dyshime për situatën te Barcelona.
Edhe pse Bartomeu ishte pajtuar që t’ia plotësonte shumicën e kërkesave, ai akoma kishte dyshime në bordin e klubit, prandaj pas refuzimit të dytë të 40-vjeçarit, Barca vendosi ta angazhonte Koemanini, i cili së shpejti pritet të zyrtarizohet. /Telegrafi/