Jurgen Klopp refuzoi të fliste me gazetarin James Pearce gjatë konferencës së tij për shtyp pas humbjes poshtëruese të Liverpoolit ndaj Wolverhampton Wanderers.
Wolves e nisën ditën në vendin e 18-të në tabelën e Ligës Premier, por u ngritën pas fitores 3-0 ndaj Reds në Molineux të shtunën pasdite, për të siguruar tre pikë të mëdha dhe për t’u larguar nga zona e rënies.
Liverpooli u dënua me humbjen e shtatë të sezonit në ligë dhe pësoi një fillim tjetër të ngadaltë duke bërë që të ketë kritika ndaj tyre.
Pearce, i cili shkruan për mediumin The Athletic, e pyeti Kloppin se pse skuadra e tij ka filluar kaq ngadalë ndeshjet këtë sezon.
Por, trajneri gjerman refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së tij, duke iu referuar gjërave që ai ka shkruar për Liverpoolin.
Jurgen Klopp refuses to talk to a reporter 😳 pic.twitter.com/3atCBErYEM
— GOAL (@goal) February 4, 2023
“Është vërtet e vështirë të flas me ty, nëse jam 100 për qind i sinqertë. Unë nuk do të preferoja ta bëja këtë”.
“E dini pse… për të gjitha gjërat që keni shkruar. Nëse dikush tjetër dëshiron ta bëjë këtë pyetje, atëherë unë do t’i përgjigjem”, ka thënë Klopp.
Një tjetër gazetar ia bëri pyetjen Kloppit, i cili e pranoi atë teksa kritikoi performancën e ekipit të tij në 12 minutat e para kundër Wolves.
Ndryshe, Liverpooli ndodhet në vendin e 10-të në tabelë, ndërsa rifillon sezonin e tyre të ligës në shtëpi ndaj rivalëve të Evertonit, më 13 shkurt. /Telegrafi/