Telegrafi

“Kishin vetëm zolla, pushkë dhe raketahedhës”, Vuçiq mbron grupin terrorist të Radoiçiqit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kur është pyetur sot lidhur me hetimet për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ka thënë se grupi i serbëve të armatosur donin të mbronin vatrat e tyre dhe se armatimi i tyre ishte i lehtë.

Vuçiq, tha se në vend të hetimit të grupit terrorist të Milan Radoiçiqit, është duke menduar se “si të fillojmë një hetim se si të gjithë ata që armatosin Forcat e Sigurisë së Kosovës, që po armatosin shqiptarët në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe kush po shkel Kartën e OKB-së, si po guxojnë ta shkelin… Dhe gjithçka që duhet të bëjnë dhe mendojnë se nuk do të mbajnë kurrë përgjegjësi për këtë”.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se është duke menduar se si të mos e vë vendin në një pozitë të vështirë dhe prapë të respektohet e drejta ndërkombëtare.

Lexo po ashtu Deputetja britanike Kearns: Serbia po e strehon fajtorin për vrasjen e policit Afrim Bunjaku

“E di që nuk ju intereson kjo, sepse vërtet nuk ju intereson çfarë po bëjnë të huajt kundër Serbisë, çfarë po bëjnë shqiptarët kundër Serbisë, çfarë po bën Kurti kundër Serbisë. Ju intereson si ta dënoni Serbinë sepse disa serbë donin të mbronin vatrat e tyre. Po, meqenëse kanë kryer disa vepra penale, do të përgjigjen para drejtësisë”, ka thënë Vuçiq, transmeton Telegrafi.

“Kjo është punë e organeve kompetente shtetërore – të zbulojnë saktësisht se cilat janë veprat penale dhe për këtë do të ndiqen penalisht. Por, të them të drejtën, kur i shikoj të gjitha armët dhe mjetet luftarake… Thonë se kishin zolla, pushkë, raketahedhës për një përdorim. Epo, prit vëlla…. I keni sjell (FSK-së) ‘Vuran’, ‘Javelin’, të gjitha ilegalisht… Dhe nuk përgjigjeni? Ju mundeni! Ju të mëdhenj dhe të fortë, ju keni shërbëtorët tuaj këtu, politikë dhe medialë, kurse ti Vuçiq je budalla që nuk e di se çfarë po ndodh. Unë jam presidenti i këtij vendi dhe detyra ime është ta mbroj këtë vend”, tha ai. /Telegrafi/