Real Madridi është duke dështuar aktualisht që të mbrojë titullin e La Ligës, pas humbjes 1-0 ndaj Mallorca të shtunën. Një autogol i Nachos i dha vendasve një fitore tronditëse, duke rritur presionin mbi Carlo Ancelotti. Dhe me Florentino Perezin që kërkon rezultate pozitive, një largim për italianin në fund të sezonit nuk mund të përjashtohet.
Strategu u kthye në “Santiago Bernabeu” në verën e vitit 2021, gjashtë vjet pasi ai ishte shkarkuar nga madrilenët.
Dhe ai bëri mrekulli gjatë vitit të parë të kthimit në klub, duke drejtuar Los Blancos drejt fitimit të La Ligas dhe Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, Ancelotti e ka jetën më të vështirë në Real këtë sezon. Nëse Barcelona mposht Sevillan në Camp Nou të dielën mbrëma (sot), gjigantët katalanas do të jenë tetë pikë larg në krye të tabelës.
Nëse italiani nuk arrin të fitojë La Ligan ose Ligën e Kampionëve në këtë sezon, atëherë shkarkimi i tij është i pashmangshëm sipas Daily Express.
Mediumi anglez madje ka listuar emrat se kush mund ta zëvendësojë Ancelottin si: Mauricio Pochettino, Jose Mourinho, Zinedine Zidane dhe Jurgen Klopp.
Perez do të preferonte gjermanin që është në një krizë te Liverpooli ose argjentinasin që është i papunë që nga largimi prej PSG-së. /Telegrafi/