Anthony Joshuas i janë ofruar duele ‘të nxehta’, qoftë ndaj Joe Joyce apo Daniel Dubois, pasi Tyson Fury e ka lënë në pritje.
Britaniku pritet të kthehet në ring në fillim të vitit të ardhshëm, pas humbjeve të njëpasnjëshme ndaj Oleksandr Usyk, si dhe pas dështimit të bisedimeve për t’u ndeshur me Furyn në dhjetor.
Tash, dy rivalët e 33-vjeçarit në kategorinë e peshave të rënda, Tyson e Usyk, kanë vendosur ta zhvillojnë duelin e unifikimit në vitin e ardhshëm.
Kjo ka bërë që Joshua të mbetet jashtë garës për të luftuar për tituj, por promovuesi Frank Warren është i gatshëm t’ia ofrojë dy alternativa.
“Kemi meçe më të mira në dispozicion. Ai e pati mundësinë e tij dhe siç thashë, kemi duele më të mëdha dhe më të mira”.
“Nuk e kam problem t’ia siguroj me meçet ndaj Joe Joyce ose Daniel Dubois, nëse dëshiron të kthehet në krye të tabelës”, ka thënë Warren për iD Boxing.
Njëherësh, AJ është lidhur me duelet potenciale përballë Dillian Whyte (34 vjeçar) dhe Deontay Wilder (37 vjeçar), për t’i tejkaluar humbjet që e lanë prapa. /Telegrafi/