Aktori i famshëm hollivudian me origjinë shqiptare, Jim Belushi, ka arritur në Tiranë.
Për ardhjen e tij në Shqipëri kishte njoftuar para një muaji, kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, i cili thoshte se pas festivalit të Dua Lipës e koncertit të Rita Orës, do të vinte edhe ylli 68 vjeçar.
Vet Belushi e ka konfirmuar arritjen e tij duke shpërndarë disa fotografi në profilet e tij në rrjetet sociale.
Në disa imazhe, ai shfaqet duke mbajtur puro në dorë dhe është ulur pranë një dyqani perimesh.
Në një tjetër fotografi, Jim ndodhet në sheshin Skënderbej me një mik të tijin, ndërsa në përshkrim shkruan: “Chris dhe unë e duam këtë vend”.
Belushi ka lindur në Wheaton (rreth 40 kilometra në perëndim të Chicagos) të Illinoisit, djali i Adam Anastos Belushi nga Korça dhe Agnes Demetri Belushi, e lindur në Ohio, por po ashtu me origjinë nga Korça.
Krahas të qenit aktor, 68-vjeçari njihet si komik dhe muzikant. Ai është më së shumti i njohur për rolin në serialin komik, “According to Jim” (2001–2009), ndërsa ka luajtur në filma, si “Thief” (1981), “The Man with One Red Shoe” (1985), “Little Shop of Horrors” (1986), “Red Heat” (1988), “K-9” (1989), “The Palermo Connection” (1990), “Destiny Turns on the Radio” (1995), “Angel’s Dance” (1999), “The Wild” (2006), “The Ghost Writer” (2010), “Thunderstruck” (2012), “Home Sweet Hell” (2015) e “Wonder Wheel” (2017). /Telegrafi/