Pas transmetimit në emisionin Fiks Fare të rastit të Ambrit, 11-vjeçar, fëmijës i cili nga frika e gjakësit duhet të ndiqte shkollën nga një tjetër fshat, ka reaguar Agjencia “Stop Krimit”.
Fatmir Sena, drejtori i kësaj agjencie, falënderon “Fiksin” për sensibilizimin.
“Të gjithë anëtarët e agjencisë sonë kontribuan për rastin e Ambrit me ushqime, lodra dhe veshmbathje”, tha Sena.
Ndërkohë, mamaja e Ambrit, me lot në sy vazhdon t’i kërkojë shtetit që djali i saj të shkollohet në fshatin e tij në Barbullush.
Kryetari i Shoqatës së pajtimit të gjaqeve, Nikoll Shullani, tregoi për emisionin investigativ se janë tetë raste fëmijësh në të gjithë qarkun e Shkodrës që nuk frekuentojnë shkollën për shkak të gjakmarrjes.
“Ka qenë shumë më i madh numri para dy vitesh, por tani është ulur. Kemi tetë raste me fëmijët nuk ndjekin shkollën, sepse nuk kanë marrë besë nga gjakësit”, tha Shullani.
Për rastin e Ambrit ai u shpreh i lumtur që ka marr besë pa afat për t’u shkolluar jashtë fshatit të tij.
“Për Ambrin kemi besë pa afat për ta shkolluar jashtë fshatit Barbullush. Nëse dikush e vret Ambrin jashtë fshatit të tij ma ka gjakun borxh mua. Unë duhet të vras për të”, tha kryetari Nikolla. /Top Channel/