Nga: Nicholas Barrett / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Lexo po ashtu: Vasily Grossmani dhe e vërteta e pamëshirshme e luftës
Muajt e fundit, protestuesit në Rusi janë arrestuar për mbajtje të pankartave pa fjalë, për dhënien e kopjeve të veprës “1984” dhe për përshkrimin si “luftë” të një konflikti që tashmë ka vrarë dhjetëra mijëra ushtarë rusë. Liria e shprehjes ka pasur histori elastike në Rusi. Liritë kanë ardhur dhe kanë shkuar, ndërsa agimet e rreme ngacmojnë horizontin. Një rast erdhi në vitin 1956, kur Nikita Hrushovi, si udhëheqës i BRSS-së, për herë të parë kryesonte Kongresin e Partisë. Teksa konferenca përfundoi, një thashetheme nisi të qarkullojë nëpër sallën e kongresit. Do të mbahet një “seancë e mbyllur” më vonë, po atë mbrëmje. Askush nga shtypi apo jashtë Bashkimit Sovjetik nuk lejohej të merrte pjesë. Kur Hrushovi u kthye në skenë, pak pas mesnate, bëri diçka që askush në Rusi nuk mund ta imagjinonte të dëshmonte në tri dekadat e mëparshme. E denoncoi Stalinin.
Paraardhësi i tij, deklaroi Hrushovi, kishte ndërtuar një kult pothuajse të pathyeshëm të personalitetit, të cilin e përdori për t’i shkatërruar rivalët e vet dhe për t’i dërguar në vdekje legjionet e komunistëve të pafajshëm. Në të njëjtën kohë, në kulmin e terrorit, Hrushovi ka nënshkruar dhjetëra mijëra ekzekutime; po të refuzonte, mund të cilësohej si armik i popullit dhe do të hidhej në grumbujt e të vrarëve. Megjithatë, fjalimi i tij përvëlues zgjati për katër orë – me pauza dhe me ndërprerje të shumta, teksa rojet nga audienca i largonin problematikët e indinjuar. Në atë moment, Stalini ishte ende hyjni laike, personifikimi i pavdekshëm i Rusisë dhe i revolucionit. Të vësh në pikëpyetje mençurinë e tij, privatisht e lëre më publikisht, ishte si t’ia merrje vetes jetën.
Për Hrushovin, ndoshta qëllimi i menjëhershëm ishte t’i dobësojë rivalët stalinistë në Byronë Politike, por në planin afatgjatë gjithashtu përpiqej të shkëputej prej totalitarizmit. Teksa teksti i fjalimit u mbajt sekret shtetëror, pasojat e tij u bënë shumë shpejt të dukshme. Statujat e diktatorit të ndjerë u rrëzuan, të burgosurit politikë u liruan, Stalingradi u bë Volgograd dhe Stalino ishte përsëri Donjec.
Kur kuptoi çfarë po ndodhte, shkrimtari Vasili Grosman mbase e ka ndier një shans. Lindi në një familje hebraike në Berdiçiv, qytet i vogël në perëndim të Kievit. Babai i tij ishte menshevik, një fraksion i komunistëve të moderuar që kishin marrë pjesë në revolucion, përpara se të çrrënjoseshin nën Stalinin. Si i rritur, derisa punonte në një minierë qymyri në Donbas, Grosmani shkroi tregime të shkurtra të cilat do të tërhiqnin vëmendjen e Maksim Gorkit.
Në qershor 1941, Gjermania nisi pushtimin shkatërrues të Bashkimit Sovjetik, në një shkallë aq të madhe saqë është pothuajse e pamundur të kuptohet. Grosmani u dërgua në vijën e frontit, si korrespondent lufte për “Krasnaya Zvezda” (Ylli i Kuq), gazetë kjo e ushtrisë e njohur mes ushtarëve dhe civilëve. U përfol se, përpara botimit, Stalini e lexonte vetë secilën faqe. Pesë muajt e parë të luftës, për mbrojtësit ishin fatkeqësi pas fatkeqësie, ndërsa Gjermania përparoi thellë në Rusi duke kapur qindra mijëra trupa sovjetike. Në BRSS, krimi i “disfatës” shpesh dënohej me vdekje. Grosmani pa dyshim pa më shumë seç mund të shkruante.
Sidoqoftë, u bë një nga gazetarët më të respektuar në BRSS. Në një kohë të represionit dhe paranojës, Grosmani e fitoi besimin e të intervistuarve, duke biseduar me ta pa bllok shënimesh. Më vonë shpjegoi se mbështetej te “bisedimet me një ushtar të tërhequr në një pushim të shkurtër. Ushtari të tregon gjithçka që ka në mendje. Askush nuk ka nevojë të bëjë pyetje”. Nuk i inkurajoi të intervistuarit t’i përsërisnin aktet e ekzagjeruara të heroizmit ose t’i përsërisnin klishetë komuniste për hir të propagandës, dhe këtë as vetë ai nuk e bëri. “Ishte i jashtëzakonshëm, një intelektual hebre që respektohej nga ushtarët”, thotë Sir Anthony Beevor, të cilin e tërhoqi shumë gazetaria e Grosmanit, librat e tij rreth betejave për Stalingradin dhe Berlinin. “Sapo i lexonin artikujt e tij, panë se ishte i vetmi që shkruante të vërtetën. Grosmani i vizitonte në hendekë dhe mësonte përmendësh gjithçka që thoshin”.
Por, ishte ende i kufizuar. Këtë sot mund ta shohim në romanin e tij të parë të madh, “Stalingradi”, i cili u botua në vitin 1952 dhe u redaktua në mënyrë kirurgjike deri në detaje – përkitazi me mizoritë dhe të metat e Ushtrisë së Kuqe. Pas luftës u shpërblye duke u bërë seri.
Për vazhdimin e “Stalingradit”, kufizimet do të hiqen. Gjatë kohës në vijën e frontit, Grosmani tha se mund ta lexonte vetëm një libër, “Lufta dhe paqja”. Kur mbaronte, e niste përsëri. Është e qartë, nga madhësia dhe titulli i “Jetës dhe fatit”, se Grosmani donte t’i nderonte vuajtjet që e kishin rrethuar në klasikun e vet të denjë për një Tolstoi. Dallimi ishte se Tolstoi nuk e kishte jetuar pushtimin e Napoleonit dhe romani i tij fokusohej në elitat në Shën Petersburg dhe në Moskë. Është kryesisht një fabul për princa, princesha, kontë, kontesha, diplomatë dhe gjeneralë. “Jeta dhe fati” është histori e nënave, baballarëve, vajzave dhe djemve. Hitleri, Eichmanni dhe Stalini janë gjithashtu atje, por në pjesën më të madhe formojnë një sfond ogurzi, gjithmonë të pranishëm, por kryesisht të largët dhe gjithmonë të shkëputur nga pasojat e urdhrave të tyre.
Mes lexuesit dhe tiranëve të përvijuar gjejmë portretet e atyre që janë zënë në mes të zjarrit. Kapitujt e shkurtër tërheqës lëvizin mes tavolinave familjare të ngrënies, kampeve të të burgosurve të luftës dhe strofujve ku Grosmani, episod pas episodi, bashkon banalitetet dhe absurditetet e frontit lindor. “Një ushtar këndonte; tjetri me sytë e tij gjysmë të mbyllur, ishte përplot me parandjenja të tmerrshme; një i tretë mendonte për shtëpinë; i katërti po përtypte bukë dhe sallam dhe mendonte për sallamin; i pesti, me gojë hapur përpiqej të identifikonte një zog në një pemë”.
Rezultati është një peizazh brygelian që nxjerr në pah fshirjen e madhe të historisë, së bashku me detajet e grimcuara përbrenda. Te “Jeta dhe fati” shohim jo vetëm fshesën, por gjithë pluhurin njerëzor që është larguar së bashku me të. Ndoshta Grosmani synonte diçka si “Lufta dhe paqja”, por, për shkak të kohës së tij në vijën e frontit, u përplas në gjysmë të rrugës mes epikës së Tolstoit që përcaktonte një epokë, dhe tregimeve të shkurtra mikrokozmike e të përjetshme të Çehovit. Një episod i tillë e ndjek një grua të re të pamartuar të quajtur Sofja, teksa ndeshet me një djalë të vogël të pashoqëruar të quajtur David, në një kamion të ngushtë bagëtish në rrugën për në Aushvic.
Më 1941, nëna hebraike e Grosmanit u vra nga nazistët në një ekzekutim masiv në Ukrainë, dhe raportimi i tij nga kampi i çliruar i vdekjes në Treblinkë u citua si dëshmi në Nuremberg. “Jeta dhe fati” është roman për gjenocidin, po aq sa për luftën.
Kur mbërrijnë, Davidi dënohet me vdekje. Sofja ishte mjeke dhe nazistët ishin të gatshëm ta kursejnë. Ajo refuzon. Në vend të kësaj, Sofja shkon drejt vdekjes, në mënyrë që të mund të mbajë Davidin në dhomën e gazit, duke ia lejuar të ndihet si biri i saj dhe duke ia lejuar vetes të ndihet si nënë.
Romani është i mbushur me “akte të përditshme të mirësisë së zakonshme, që nuk janë të motivuara nga morali, por janë të motivuara nga momenti”, thotë Linda Grant, romanciere që u kaptua nga “Jeta dhe fati”, pasi pa emrin e Grosmanit në fusnotat e Beevorit. Ideologjia është helmi që i kthen njerëzit kundër njëri-tjetrit në pothuajse çdo pjesë të historisë. Ushtarët, revolucionarët dhe civilët njësoj denoncohen nga stalinistët e drejtë. Për të mbetur gjallë, edhe ata i tradhtojnë të pafajshmit. Grosmani e dinte këtë, sepse kjo i kishte ndodhur edhe atij. Ishte komprometuar dhe kishte kompromentuar të tjerët, jo për të pasur sukses, por thjesht për të mbijetuar. “Mësimi është se ju nuk duhet të besoni në ideologjinë gjithëpërfshirëse”, thotë Grant, “është kundër sigurisë morale”.
Grosmani e dinte se romani i tillë nuk mund të botohej kurrë nën Stalinin por, në vitin 1961, pesë vjet pas fjalimit jo shumë sekret të Hrushovit, u ndie si kohë e mirë për ta provuar këtë. Tani ose kurrë. Megjithatë, kur Grosmani e dorëzoi dorëshkrimin, u vizitua nga KGB-ja e cila ia bastisi banesën, duke i konfiskuar tri kopjet e dorëshkrimit. Dikush shkoi në tavolinën e kryeideologut dhe censorit të partisë, Mihail Suslov, i cili thuhet se e thirri Grosmanin në zyrën e vet për t’i treguar se “Jeta dhe fati” ishte aq i rrezikshëm sa nuk mund të botohej “për dy deri në treqind vjet të tjerë” – megjithëse ky citat është vënë në pikëpyetje nga një biograf i Grosmanit, Yuri Bit-Yunan.
Thuhet shpesh se lufta përfshin shtrirje të gjata të mërzisë, të shoqëruara me momentet e tmerrit të plotë. “Jeta dhe fati” është në stilin gazetaresk dhe nuk pati asnjë rast për t’u redaktuar. Kapitull pas kapitulli na jep përvojën e përditshme të jetës në vijën e parë të totalitarizmit. Derisa lexuesi njihet ngadalë me personazhet, pothuajse inkurajohet. Por, në çdo 50 faqe ose më shumë do ta ketë një pasazh që është krejtësisht zemërthyes.
Hrushovi nuk e bëri një hapje të re, por fjalimi i tij kishte ndezur – pa dashje – një qiri në errësirë, që digjej aq sa për të ekzistuar “Jeta dhe fati”. Grosmani i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në një gjendje të depresionit të tmerrshëm, duke u thënë miqve se libri i tij është “arrestuar”. Në vitin 1964 vdiq me librin prapa grilave. Por, një dekadë më vonë, një kopje do të dalë si kontrabandë nga BRSS-ja, në mikrofilm, dhe në vitin 1988, nën politikën e Glasnostit të Mihail Gorbaçovit, rusët dhe ukrainasit më në fund lejohen ta mbajnë në duar kryeveprën e Grosmanit. Disi, e vërteta shpesh duket se e gjen një mënyrë për të shpëtuar nga kthetrat e regjimeve totalitare. E njëjta gjë rrallë mund të thuhet për ata që thonë të vërtetën. /Telegrafi/