Site icon Telegrafi

Japonia do të kufizojë eksportet e pajisjeve të prodhimit të çipave, ndërsa përputhet me kufizimet e SHBA-së ndaj Kinës

Qeveria japoneze deklaroi se do të kufizojë eksportin e 23 llojeve të pajisjeve për prodhimin e gjysmëpërçuesve, duke harmonizuar kontrollet e saj të tregtisë së teknologjisë me një shtytje të SHBA për të frenuar aftësinë e Kinës për të prodhuar çipa të avancuar.

Japonia, shtëpia e prodhuesve të mëdhenj globalë të pajisjeve të çipave si Nikon Corp dhe Tokyo Electron Ltd, nuk e specifikoi Kinën si objektivin e masave, duke thënë se prodhuesit e pajisjeve do të duhet të kërkojnë leje eksporti për të gjitha rajonet.

“Ne po e përmbushim përgjegjësinë tonë si një komb i teknologjisë në kontributin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtarë”, deklaroi në një konferencë për media Yasutoshi Nishimura, ministër për Ekonomi, Tregti dhe Industri, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

Shteti aziatik dëshiron që ta ndalojë përdorimin e teknologjisë së avancuar për qëllime ushtarake, dhe nuk ka në mendje një vend specifik me masat, tha ai.

Por vendimi i Japonisë, shihet si një fitore e madhe diplomatike nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, administratë kjo e cila në muajin tetor doli me njoftim mbi kufizimet gjithëpërfshirëse mbi qasjen e Kinës në teknologjinë amerikane të prodhimit të çipave, në mënyrë që të ngadalësojë avancimin e saj në teknologji dhe ushtri.

Pa bashkëpunimin e “peshave të rënda” të industrisë, Japonisë dhe Holandës, masat e SHBA-së do të ishin joefektive dhe kompanitë e saj do të përballeshin me një disavantazh konkurrues.

Japonia dhe Holanda në janar ranë dakord të bashkohen me SHBA-në në kufizimin e eksporteve të pajisjeve në Kinë që mund të përdoren për të prodhuar çipa nën 14 nanometër, por nuk e shpallën paktin për të shmangur provokimin e Kinës, kishin bërë të ditur më herët burimet e Reuters.

Kina, e cila ka akuzuar SHBA-në se është një “hegjemoni e teknologjisë” për shkak të kufizimeve të saj të eksportit, i kërkoi Holandës “të mos ndjekë masat e kontrollit të eksportit të vendosura nga disa vende të caktuara”. /Telegrafi/

Exit mobile version