Gratë në Kosovë kanë ndikim shumë të madh, shpeshherë më të madh se gjinia mashkullore. Fundja fundit, nuk është gjinia gjë që e përcakton ndikimin por puna e një personi.
Prandaj, duke e marrë parasysh që sot është ditë e shënuar për të gjitha gratë në botë, kemi vendosur të sjellim për ju një listë me 8 gratë më me ndikim në Kosovë, për të treguar se nëse barazia do të ekzistonte në çdo familje dhe në çdo regjion, atëherë ato do të mund të ishin shumë më të suksesshme se burrat.
Renditja e mposhte nuk është në bazë të fuqisë së tyre, por thjeshtë teknike.
1) Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga, presidente në largim, është e para presidente grua e Republikës së Kosovës, dhe e cila nuk e ka pasur asnjë rast korrupsioni të raportuar gjatë mandatit të saj 5 vjeçar.
Ajo ka qenë presidentja më e re në histori të Kosovës, pasi që është zgjedhur presidente në moshën 35 vjeçare, raporton lajmi.net.
Prezantimi i Kosovës përmes saj, gjithmonë ka marr poenë pozitiv, e ajo rëndësi të veçantë u ka kushtuar gjithmonë grave të dhunuara gjatë luftës, që janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë sonë.
2) Majlinda Kelmendi
Majlinda Kelmendi, ndryshe njihet edhe si ‘Ambasadorja më e mirë e Kosovës’, pasi që nga viti 2013 qëndron e para në renditjet botërore.
Ajo pritet të përfaqësojë Kosovën në lojërat Olimpike këtë vit.
Në vitin 2014 ajo është shpallur xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë nga presidenti i Federatës, Marius Vizer.
Ajo është dekoruar edhe nga presidentja Jahjaga me ‘Medaljen Presidenciale të Meritës’.
3) Rita Ora
E njohur për hitet si ‘R.I.P.”, “How We Do”, etj., ajo është ndër artistet më të pëlqyera në të gjithë Britaninë, dhe jo vetëm.
Kënga e saj ‘I Will Never Let You Down”, ka qenë kënga e saj e 4-të në Britani që kishte qenë e para në të gjitha kategoritë, raporton lajmi.net.
Sidoqoftë, Rita Sahatçiu Ora, përcjell lajmi.net, njihet edhe për kontributin e saj për vendlindjen, Kosovën, pasi që ka bërë edhe video-spote në Kosovë. Ajo asnjëherë nuk lë pa përmendur vendilindjen e saj, Kosovën.
4) Vlora Çitaku
Ajo është ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtet ky më i fuqishmi në botë dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës.
Karrierën politike e filloi që nga viti 1999 dhe ka shërbyer si deputete e Kuvendit në dy legjislatura nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ishte edhe ministre e Integrimeve, fushë kjo tepër e rëndësishme për Kosovën, ku në kohën e saj filluan bisedimet për MSA-në.
5) Nexhmije Pagarusha
Puna kreative muzikore e Bilbilit të Kosovës vazhdon ende dhe është vështirë t’i përcaktohet zhanri, pasi që ajo ka kënduar thuajse në të gjitha zhanret. Ndër të parat gra që filloi të këndonte muzikë të lehtë.
Është një nga këngëtaret më të njohura të Kosovës, e vlerësuar me çmime shumë domethënëse ndër të cilët mund të theksohen edhe “Këngëtarja e Shekullit”.
Ajo shihet në shumë vende në Ballkan për zërin e saj, ndërsa kënga më e njohur e saj e vlerësuar me çmime shumë domethënëse është “Baresha”, transmeton lajmi.net.
6) Afërdita Saraçini-Kelmendi
E para korrespondente nga Kosova. Dikur punonte në Radio Prishtina e tani është drejtoreshë e një prej shtëpive më të mëdha mediale në vend.
RTV 21 së fundmi ka hapur kanalin edhe në Maqedoni.
Gjithashtu kryetare e Dhomës Ekonomike të Grave në Kosovë G7.
7) Flora Brovina
Brovina njihet si mjeke, poete, veprimtare dhe ish e burgosur politike.
Është deputete e Kuvendit, më e vjetra për nga mosha, e për shkak të kësaj të fundit ajo udhëhiqte seancat e përzgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Ish bashkëshortja e guvernatorit të dikurshëm të Kosovës, Ajri Begu.
8) Mimoza Kusari-Lila
E para grua kryetare komune në Kosovë. Është kryetare e Gjakovës.
Dikur ministre e Tregtisë dhe Industrisë ku gjatë kohës së saj, Kosova ka shënuar ngritje pozitive në të bërit biznes.
Ka qenë kryetare e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Kusari–Lila është zëvendëspresidente në subjektin politik AKR.