Jack Grealish ka thënë se talenti që ka në dispozicion Anglia i vendos ata ndër favoritët kryesor për të fituar EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani.
Gareth Southgate iu ka dhënë mundësinë një morie talentësh që kur mori drejtimin e ekipit kombëtar nga Sam Allardyce në vitin 2016, por ende nuk i ka dhënë fund pritjes së gjatë të “Tre Luanëve” për të fituar një trofe.
Anglia ishte shumë afër triumfit në edicionin e kaluar të EURO-s por humbën në finale pasi u mposhtën me penallti nga Italia.
Megjithatë, anësori i Manchester Cityt, Grealish ka zbuluar se skuadra beson se ka atë që duhet për të sjellë trofe në shtëpi.
Në një intervistë për The Times, ai u shpreh: “Ne mendojmë se tani është koha e përsosur për të pasur sukses. Ju shikoni talentin që kemi , Harry Kane, Jude Bellingham, [Bukayo] Saka, [Phil] Foden, [Marcus] Rashford, Declan Rice, të gjithë”.
“Këta lojtarë, është thjesht e pabesueshme. Mbrojtësit gjithashtu. Kyle Walker, ai është tani; 33? I thashë atij një ditë më parë, “Shoku, mendoj se ky është version yt më i mirë që kam parë ndonjëherë”.
Përpjekjet e Anglisë për të fituar trofe më herët nuk kanë pasur sukses për shkak të mungesës së kohezionit të skuadrës , ‘brezi i artë’ i 2006 ishte një shembull ideal për ta dëshmuar këtë, por Grealish vuri në dukje humbjen e fundit të klubit të tij ndaj Arsenalit si shkak për optimizëm në këtë drejtim.
“Ne u mposhtëm nga Arsenali, por përkundër kësaj unë vij të nesërmen këtu dhe qëndroj me Declan Rice pasi ai është një nga miqtë e mi më të mirë. Kjo është bukuria e saj. Më herët kam dëgjuar se disa prej tyre [si Rio Ferdinand] hoshin se kishin një skuadër kaq të talentuar, por nuk e di nëse ata me të vërtetë kishin raporte të mira me njëri-tjetrin”, përfundoi Grealish.
Anglia duhet ta mposht Italinë të martën mbrëma në “Wembley” në mënyrë që të vulosë vendin e saj në Gjermani./Telegrafi/