Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant është në Uashington për të diskutuar me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Antony Blinken për kalimin në fazën C të luftës në Gaza.
Gallant pritet gjithashtu të takohet me homologun e tij, Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA Lloyd Austin, gjatë vizitës së tij këtë javë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Për Izraelin, faza C përfshin luftime me intensitet të ulët në Gaza, sulme ajrore në shënjestër, tërheqje të forcave, krijimin e një zone tampon pranë kufirit të Gazës dhe gjetjen e një alternative për sundimin e Hamasit në enklavë.
Dhe sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, gjatë bisedimeve të tyre të hënën, Blinken nënvizoi nevojën për një plan “të fortë” të pasluftës.
Komentet vijnë menjëherë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai do të ishte i gatshëm të pranonte vetëm një marrëveshje armëpushimi “të pjesshëm” që nuk do t’i jepte fund luftës.
Duke folur me gazetarët në një konferencë të hënën, Miller tha se Blinken planifikoi të trajtojë me Gallant “rëndësinë e punës për të gjitha këto plane për ditën pas konfliktit”.
“Ne kemi qenë mjaft të vendosur për të pasur një disfatë të qëndrueshme të Hamasit, duhet të ketë një plan për atë që i zëvendëson ata dhe çfarë i zëvendëson ata duhet të jetë qeverisja e udhëhequr nga palestinezët, duhet të jenë plane realiste të sigurisë”. /Telegrafi/