Festë e madhe për Istogun, që ka siguruar hyrjen në Superligë, ndërsa në ndeshjen e dytë finale të “Play-off”-it mundi Boran me shifrat 81:94 (14:23, 26:21, 24:30, 17:20).
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, deri pranë rezultatit 14:16, kur mysafirët shkëputen për ta fituar këtë pjesë 14:23.
Megjithatë, prishtinasit rikthehen në periudhën e dytë, ku afrojnë shifrat minimalisht në 40:41, ndërsa pjesa e parë përfundoi 40:44.
Pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë më mirën e nisën istogasit që kishin epërsi deri në 15 pikë, 45:60, ndërsa vendasit deri në fund tentuan të afrojnë rezultatin, që pas 30 minutash ishte 64:74.
Çerekun e fundit, sërish më mirë e nisën mysafirët, ku me tri treshe radhazi shkëputen në 66:84, ndërsa deri në fund menaxhuan epërsinë për të triumfuar 81:94 dhe siguruan hyrjen në Superligë për edicionin e ardhshëm, kurse Bora do të luajë në “Play-out” me Ponte Prizrenin.
Më i miri te Bora ishte Dion Haxhosaj me 24 pikë e 16 kërcime, ndërsa lojtari më i mirë i Istogut ishte Arian Azemi me 34 pikë, dhjetë kërcime e 11 asistime.