Kandidati shqiptaro-amerikan për në Kongresin Amerikan, Vedat Gashi ka marrë dje mbështetjen e dy ish-kongresistëve të fuqishëm njujorkezë, Eliot Engel dhe Nita Lowey.
Gashi është një prej tre kandidatëve që po sfidojnë kongresistin Jamaal Bowman, në garën brenda Partisë Demokrate për Distriktin 16.
Engel dhe Lowey kanë shërbyer në Kongresin Amerikan për më shumë se tre dekada, duke u ngritur në pozitat e fuqishme të kreut të Komiteteve të tyre përkatëse. Engel ishte kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kurse Lowey, kryetare e Komitetit të fuqishëm të Përcaktimeve.
Dy demokratët kanë qenë edhe Bashkë-Dekanë të Delegacionit Kongresional të Neë York-ut. Kur Eliot Engel themeloi Kaukusin e Çështjeve Shqiptare, Nita M Lowey ishte një nga kolegët që iu bashkua dhe ishte pjesë e tij deri në fund të karrierës.
Mbështetjea e tyre ka rëndësi të madhe për Gashin, i cili së pari duhet të shquhet si kundërshtari i vërtetë i kongresistit Bowman, sepse përndryshe vota e protestës ndaj këtij të fundit do të ndahet në tre pjesë.
Debati mes kandidatëve
Distrikti i 16 ka ndryshuar kufijtë dhe është bërë më i moderuar. Është një zonë demokratësh, domethënë që kushdo që do të fitojë garën brenda Partisë Demokrate do të fitojë edhe zgjedhjet në nëntor.
Në një debat në internet mes katër kandidatëve, Gashi dhe dy të tjerët e akuzuan kongresistin se kishte votuar kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën si dhe për Marrëveshjet e Abrahamit, mes Izraelit dhe tre vendeve arabe, të ndërmjetësuar nga SHBA.
Bowman, i cili është pjesë e çetës socialiste të kongresistes Alexandra Octavio-Cortez, është kundërshtar i vendosur, si thotë ai, i “kompleksit ushtarako-industrial” me argumentin se “paqja nuk vjen me bomba”.
Në fakt, Gashi është dëshmitar i gjallë i nevojës për të ndërhyrë me bombardime për hir të paqes. Prindërit e tij janë nga Kosova, një vend që e fitoi paqen dhe lirinë në saj të ndërhyrjes së NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai foli në debat për përvojën e jetës së tij, duke thënë se do ta kishte pasur shumë vështirë të votonte kundër Ukrainës si bëri Boëman: “Për mua është personale”.
“E kam përjetuar se sa e rëndësishme ishte NATO për të sjellë paqen në Kosovë si edhe për ta ruajtur paqen aty. Mendoj se kjo mbështetje është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme për politikën e jashtme amerikane, jo vetëm për Kosovën apo Ukrainën. Kështu i kemi ndihmuar që të mbrohen aleatët”, tha Gashi në debat.
Bowman nuk i mbështeti Marrëveshjet e Abrahamit se “palestinezët nuk ishin në tavolinë”.
Po pse duhet të ishin plaestinezët në tavolinë në marrëveshjen mes pesë shteteve sovrane që njohin njëra-tjetrën dhe vendosin të bëjnë tregëti së bashku?
Një nga kandidatët, Christine Parker, i tha kongresistit Bowman, se e vlerësonte ngaqë i fillonte takimet me “dashuri dhe paqe” dhe i dukej se besonte vërtet në ato që thoshte, por në këtë rast kishte votuar hapur kundër paqes, kundër një guri themeli të paqes në rajon.
Vedat Gashi tregoi për udhëtimin e tij në Izrael, shumë kohë përpara se të hynte në politikë. Ai e përshkroi atë si të vetmet demokraci në rajon dhe aleat i Amerikës që në këtë rast kishte nënshkruar marrëveshje paqe me fqinjët arabë. Një fitore për të gjithë ata që duan vërtet paqen.
Kandidatët u përplasën edhe për votimet e Boëmanit që kishin kundërshtuar paketën për rindërtimin e infrastrukturës, për justifikime mjedisore, në një kohë kur zona e tij vuante nga probleme të mëdha infrastrukture. Kongresisti numëroi disa fonde që ishin siguruar që kur ishte bërë kongresist, por Gashi ishte i pamëshirshëm. Për të gjitha këto që po mburret, kongresisti ka votuar kundër, tha ai.
“Vedati është tipi i udhëheqësit që na duhet në Washington DC – dikush që e kupton kohën e paprecedentë që po jetojmë dhe që do të bashkëpunojë me Presidentin Biden dhe kolegë të tjerë demokratë për vlerat tona të përbashkëta demokratike”, tha ish-kongresisti Eliot Engel, në deklaratën e tij në mbështetje të kandidatit Gashi. “Dikush që do të punojë për rezultate reale, jo për retorikë apo politikë partizane”.
“Unë e mbështes fuqimisht për Kongres sepse e di që do të jetë një përfaqësues që do të vendosë banorët e Westchester-it dhe Bronx-it mbi gjithshka” përfundon deklarata e ish-kongresistit.
Data e votës mes kandidatëve demokratë mbahet në 23 gusht, por ata që nuk duan të presin ditën e votimeve mund të votojnë nga 13 deri në 21 gusht, sepse qendrat e votimit do të jenë të hapura paraprakisht. /Illyria/