Interi është larguar pa pikë nga Allianz Stadium të dielën mbrëma ku u përballë me Juventusin në derin italian.
Neroazzurët ishin favoritë në letër, por ata u befasuan nga Juventusi që luajti me mungesa të mëdha dhe fitoi me rezultat të pastër 2-0.
Adrien Rabiot dhe Nicolo Fagioli ishin autorët e golave që i dhanë tre pikë të mëdha Zonjës së Vjetër.
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka thënë duhet të përmirësohen në ndeshjet e mëdha dhe se dominuan me raste Zonjën e Vjetër.
“Ndeshjet më të komplikuara i kemi bërë në udhëtim, qartësisht duhet të përmirësohemi në ndeshjet e mëdha dhe në golat e pësuar. Juventusi ka bërë tre gjuajtje në portë dhe shënoi dy gola e goditi një shtyllë”.
“Ne kemi gjuajtur nëntë herë, me raste më të pastra dhe nuk shënuam. Kjo është një humbje që na ngadalëson, që të dhemb dhe me atë që u pa në fushë, ishte e pamerituar. Ndjehet keqardhje që mbyllëm pjesën e parë me rezultatin 0-0”.
“Ne pësuam gol pasi goditëm traversën. Te goli mund të bënim më mirë, mund të bëhej faull për shembull, ishte pastaj rasti i Lautaros, ndërsa te goli i dytë e pësuam pas një kundërsulmi që nisi nga një mbyllje e Bremer ndaj Brozovic i cili mund të shkonte në portë me një mundësi të mirë”, deklaroi Inzaghi.
Por tekniku italian vazhdon të besoj te titulli kampion edhe pse e pranon që humbja në Allianz Stadium i ndalë paksa ata.
“Mbeten edhe 25 ndeshje deri në fund, kjo është një humbje që na ngadalëson shumë në ecurinë e këtij kampionati, por duhet të tregohemi të aftë të lëmë pas krahëve shpejt këtë humbje”.
“Duhet të përmirësohemi në këto ndeshje, paraqitja ishte e duhura por duhet të jemi të aftë që të bëjmë që episodet të kthehen në favorin tonë”.
“Unë nuk besoj te mungesa e fatit pasi episodet duhet t’i drejtosh ti. Kemi luajtur ndeshje më të vështira se kjo, mund të bënim më shumë”, tha Inzaghi.
Interi tani mbetet në vendin e shtatë në tabelë me 24 pikë të tubuara, 11 më pak se lideri Napoli. /Telegrafi/