Site icon Telegrafi

Inzaghi: Fitoja ndaj Napolit është një nxitje e vërtetë për Interin

Simone Inzaghi e cilëson fitoren ndaj Napolit ‘një arritje të madhe’ dhe shpreson se mund të rrisë besimin e Interit në vazhdim të këtij sezoni.

Ky ishte shansi i fundit për Nerazzurrët për t’u rikthyer në garën për titull, pasi e mbyllën vitin 2022 me 11 pikë larg kryesuesve të Napolit.

Pas tre rasteve të mëdha të humbura në pjesën e parë me Federico Dimarco, Matteo Darmian dhe Romelu Lukaku, ata arritën golin në San Siro me një goditje me kokë të Edin Dzekos pas harkimit të saktë të Dimarcos nga e majta.

Andre Onana u testua vetëm në minutën e fundit nga Giacomo Raspadori, pasi Interi u bë skuadra e parë e Serie A që mundi Napolin këtë sezon, vetëm e dyta në të gjitha garat pas Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.

“Është e qartë se të qenit i pari që mund Napolin, i cili ishte e vetmja skuadër në ligat kryesore të Evropës pa humbje këtë sezon, është një nxitje e madh e besimit”, ka thënë fillimisht Inzaghi për DAZN.

“Unë jam shumë krenar për djemtë e mi, sepse ata ndihmuan njëri-tjetrin në fushë, ata ishin një kënaqësi për t’u parë dhe ne bëmë një paraqitje të shkëlqyer për tifozët”.

“Kishte disa gjëra të panjohura pas një pauze kaq të gjatë, por nuk kisha asnjë dyshim, pasi ata u stërvitën aq mirë që nga 2 dhjetori”.

 

“Ndeshjet kanë momente të ndryshme, në fund të pjesës së parë u futëm më thellë dhe i lejuam Napolit më shumë posedim të topit, por mund të kishim shënuar tre gola edhe në pjesën e parë. Qëndruam të organizuar dhe të përqendruar për 95 minuta”.

“Ne e kishim përgatitur këtë lojë në mënyrën më të mirë dhe ishte një arritje e madhe, sepse mposhtja e Napolit tani duhet të na japë shumë besim për të ardhmen”, përfundoi trajneri i Interit. /Telegrafi/

Exit mobile version