Interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi duhet të shqyrtohet në seancën e sotme plenare. Interpelancën e ka dorëzuar grupi parlamentar i partisë “E Majta” dhe sipas njoftimeve mbështetje do të japë LSDM-ja opozitare, ndërsa OBRM-PDUKM dhe partneri i koalicionit “VLEN” nuk do të japin mbështetje.
Interpelanca për kryeparlamentarit nuk do të mbështetet as nga deputetët e ASh-së së Ziadin Selës, pjese e FE. Thonë se edhe pse nuk janë të kënaqur nga puna e Gashit, megjithatë argumentet e “Të Majtë” sipas tyre janë të pabaza.
“Apasievat dhe të ngjajshmit e tyre tek ne do të gjejnë vetëm kundërshtarin dhe asnjëherë aleatin. Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët nuk do ta shnëdrrojë në normë morale pabesinë dhe tradhëtinë duke i dalë në mbrojtje të njëjtës. Afrim Gashi me klikën e tij është personifikim i pabesisë dhe dëshirës për pushtet, duke shkelur mbi gjithçka, edhe mbi verdiktin e shqiptarëve dhe ardhmërisë së tyre. Të tillët si Gashi, Kasami, Mexhiti dhe vlera e shtuar e kësaj pabesie, Taravari, tek ne do të gjejnë vetëm përbuzje dhe injorim”, thonë nga ASH e Ziadin Selës.
Sipas pozicioneve aktuale të deputetëve, nuk ka gjasa që ajo të miratohet megjithatë partitë që e mbështesin atë, thonë se do t’i elaborojnë argumentet në seancë.