Juventusi duket se ka një pasqyrë se si do të vendoset në fushë, me Aaron Ramseyn prapa Gonzalo Higuainit dhe Cristiano Ronaldos, derisa Interi ka disa dyshime.
Derbi D’Italia do të zhvillohet ditën e diel nga ora 20:45 në Giuseppe Meazza, e që aty do të vendoset edhe çështja e liderit në Serie A me Nerazzurët që janë në vendin e parë me 18 pikë, derisa torinezët kanë dy më pak në të dytin.
Maurizio Sarri ka mundësi të kufizuara në mbrojtje, pasi Danilo, Mattia De Sciglio dhe Giorgio Chiellini janë të lënduar, së bashku me Douglas Costa, Marko Pjaca dhe Mattia Perin.
Juan Cuadrado është vendosur çuditërisht mirë në rolin e mbrojtësit të djathtë, me Matthijs de Ligt që ka fituar besimin së bashku me Leonardo Bonuccin.
Adrien Rabiot, Emre Can dhe Rodrigo Bentancur nuk po bëjnë shumë përparime në sfidimin e mesfushorëve standard Sami Khedira dhe Blaise Matuidi.
Higuain mbetet i preferuari përpara Paulo Dybalas për partnerin e Cristiano Ronaldo në sulm, ndërsa Ramsey do të vendoset pas tyre.
Antonio Conte do të jetë në këtë takim pa të pezulluarin Alexis Sanchez, ndërsa është në pritje deri në minutën e fundit për Romelu Lukakun, i cili mungoi në humbjen 2-1 ndaj Barcelonës shkaku i një problemi muskulor.
Besohet se sulmuesi belg do të fillojë me Lautaro Martinez, pasi e vetmja alternativë është Matteo Politano.
Dyshimi tjetër për Interin është në krahun e djathtë, ku Danilo D’Ambrosio përfaqëson një opsion më mbrojtës sesa Antonio Candreva.
Diego Godin do të rinovojë betejën e tij për dy dekada me Ronaldon, ndërsa Kwadwo Asamoah përballet me ish-klubin e tij.
Formacioni i mundshëm i Interit: Handanovic; Godin, De Vrij, Skriniar; D’Ambrosio, Barella, Brozovic, Sensi, Asamoah; R Lukaku, Lautaro Martinez.
Formacioni i mundshëm i Juventusit: Szczesny; Cuadrado, Bonucci, De Ligt, Alex Sandro; Khedira, Pjanic, Matuidi; Ramsey; Higuain, Cristiano Ronaldo. /Telegrafi/