Te Interi janë të bindur për vazhdimin e kontratës së Marcelo Brozovicit dhe tashmë kanë lënë takim për bisedime pas Superkupës së Italisë.
Kontrata e kroatit skadon në fund të sezonit aktual, ndërsa klubi dhe përfaqësuesit e lojtarit kanë qenë në negociata për zgjatjen e qëndrimit.
29-vjeçari e ka refuzuar ofertën e parë të Nerazzurrëve, por kampioni i Serie A është i bindur se ai do ta nënshkruajë kontratën e re.
Sipas Calciomercato.com, drejtorët e Interit do të takohen me përfaqësuesit e futbollistit pas ndeshjes së Superkupës kundër Juventusit, e cila zhvillohet të mërkurën mbrëma.
Në bazë të njoftimit, zikaltrit do t’i ofrojnë Brozovicit 6.5 milionë euro në sezon plus shtesat.
Interi së fundmi i ka vazhduar kontratat e Alessandro Bastoni, Lautaro Martinez e Nicolo Barella, ndërsa pas Brozovicit, do të bisedojnë edhe me Ivan Perisic e Samir Handanovic, të cilëve po ashtu u skadojnë kontratat në qershor. /Telegrafi/