Site icon Telegrafi

Instagrami së shpejti mund të marrë chatbotin e vet të AI

Chatbot-et e AI-së po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe rrjeti social Instagram së shpejti mund të marrë të vetin.

Inxhinieri Alessandro Paluzzi pretendon se platforma në pronësi të Meta po përgatit chatbotin e saj të AI, transmeton Telegrafi.

Sipas pamjeve të ekranit që ai ndau, chatbot do të jetë në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve dhe të japë këshilla, dhe përdoruesit do të mund të zgjedhin nga 30 personalitete.

Një chatbot mund të jetë shumë i dobishëm për ata që e kanë të vështirë të shkruajnë mesazhe dhe kanë nevojë për ndihmë, dhe do të mund të bëhet pjesë e një bisede që një përdorues ka me dikë duke i përmendur me shenjën “@”.

Është ende herët për të thënë se kur dhe nëse Instagram do ta prezantojë këtë funksion, por ‘aty ku ka tym, ka zjarr’.

Drejtori ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg tha në shkurt se kompania po punon për AI për Instagram, Messenger dhe WhatsApp.

Gjithashtu, Paluzzi është shumë i besueshëm, ka gjetur më parë prova për sistemin e verifikimit me pagesë të Instagramit disa javë përpara se Meta ta shpallte. /Telegrafi/

 

Exit mobile version