Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vazhduar monitorimin e ujit për pije që furnizohet nga Ujësjellësi Rajonal KRU “Prishtina” nga Liqeni i Badovcit.
Gjatë analizave të fundit, janë vërejtur ulje të vlerave të manganit, por këto vlera ende qëndrojnë mbi limitet e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
“IKSHPK thekson se ndotja me mangan është një ndotje kimike, dhe vlimi i ujit nuk e eliminon manganin, siç ndodh me ndotjen bakteriologjike”, thuhet në njoftim.
Si rezultat, uji aktualisht është i papërshtatshëm për konsum.
Ekipet e IKSHPK-së do të vazhdojnë të monitorojnë situatën e ujit të pijes nga Liqeni i Badovcit edhe në ditët në vijim, duke bashkëpunuar ngushtë me KRU “Prishtina” për stabilizimin e gjendjes së krijuar për shkak të “fenomenit” të manganit.
Përdoruesit e ujit nga kjo zonë janë të inkurajuar të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për përdorimin e ujit të pijes. /Telegrafi/