Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mbajtur një tjetër konferencë për media lidhur me mosmiratimin e buxhetit për vitin 2025.
Gjatë kësaj konference, Hyseni ka theksuar se përpjekjet për miratimin e buxhetit po vazhdojnë dhe ka bërë të ditur se ka ftuar publikisht kryetarët e dy partive opozitare, Lutfi Hazirin nga LDK dhe Riad Rashitin nga PDK, për një takim zyrtar.
“Pavarësisht përpjekjeve tona për të bindur opozitën që ta votojë buxhetin, nuk kemi arritur të gjejmë një pajtim. Për këtë arsye, kam vendosur që nesër, nga ora 10:00, të ftoj në takim kryetarin e LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti,” deklaroi Hyseni.
Sa i përket përfaqësuesve të tjerë politikë, Hyseni tha se nuk sheh nevojë për takim me të gjithë liderët.
“Me kryetarin e AAK-së nuk kemi nevojë të takohemi, pasi Nazim Gagica ka dëshmuar qëndrime konstruktive në raport me çështjet e interesit publik,” theksoi ai. /Telegrafi/