Trajneri i Stoke Cityt, Mark Hughes, ka shpresa të mëdha se mesfushori kosovar, Xherdan Shaqiri, do të shkëlqejë në edicionin 2016/2017 në Premier League të Anglisë.
Ai në një intervistë dhënë të martën për “stokesentinel.co.uk”, ka thënë se Shaqiri do të jetë i rëndësishëm për ekipin, shumë më tepër se që ishte edicionin e shkuar, transmeton Koha Ditore.
“Unë mendoj se Shaqiri ka pasur ndikim të madh në lojën tonë dhe ne jemi të kënaqur me paraqitjen që ka treguar në edicionin e kaluar. Por besoj është e kuptueshme se në Premier League është e vështirë i vetëm të tregosh paraqitje të mëdha në çdo ndeshje. Në disa ndeshje si pasojë e mbrojtjeve të ngjeshura të ekipeve kundërshtare nuk i është lejuar shumë të luaj, por në ato raste që i është dhënë mundësia ka pasur ndikimin e tij”, ka thënë Hughes.
Shaqiri 24-vjeçar për Stoke Cityn luan nga vera e vitit të kaluar. Ai te Stoke City u transferua nga skuadra e Interit dhe firmosi kontratë deri në verën e vitit 2020.