Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, në Konferencën e Lidershipit Evropian që u mbajt në Vjenë, ka thënë se Evropa po e lufton planin e botës ruse, por nuk po e lufton planin e botës serbe në rajon.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka njoftuar se nga prania e tij në Konferencën e Lidershipit Evropian për marrëdhënie mes Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimit Evropian – Vështirësitë dhe prespektiva, ka ndarë një pjesë të fjalës së tij, derisa ishte pjesë e panelit, ku u fol për gjendjen dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
“Askush nuk ka besuar se paqja, stabiliteti dhe siguria në Ballkan do të jenë aq të kërcënuara në fund të vitit 2022, sikurse janë sot! Kërcënimet ndodhin jo si shfaqje periferike e agresionit rus mbi Ukrainën, por për shkak të konflikteve të papërfunduara në Ballkan. Nëse lufta është rikthyer në këtë vend sepse Rusia nuk ka mundur t’i tejkalojë paranojat dhe traumën e shpërbërjes sovjetike, sot Serbia kërcënon Kosovën, Bosnjen, Malin e Zi, për shkak të humbjes së idesë së Serbisë së madhe para dy dekadave në Ballkan dhe paranoja serbe ndaj të tjerëve në rajon. Evropa është e vendosur ta luftojë me çdo kusht projektin e ‘Botës ruse’ por, në rajon nuk po lufton planin e “Botës serbe” që është një emër i ri për idenë e vjetër të ‘Serbisë së madhe’”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai, tutje ka thënë se kjo ka bërë që edhe pse lufta ka përfunduar me 1999, Serbia ndjek më tutje ndaj Kosovës platformën e njëjtë që ka sjellë deri te vet lufta!
“E kur agjenda politike mbetet e njëjtë, nuk ka parakushte politike, shoqërore dhe morale, as për normalizim politik dhe ndërshtetëror. Prandaj, njohja e ndërsjellë është qëllim, mjet dhe themel i çdo marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, si gurthemel i paqes rajonale në Ballkan. Arritja e një marrëveshjeje është urgjente, por ajo mund të ndodhë nëse uniteti politik i brendshëm në Kosovë mbështetet nga uniteti euroatlantik.”, ka shkruar tutje Hoxhaj, derisa ka cituar fjalimin e tij në Konferencë të Vjenës.