Analisti Ylli Hoxha thotë se Ibrahim Rugova kishte merita të jashtëzakonshme në krijimin e frymës properëndimore duke pasur parasysh përbërjen myslimane të popullsisë në Kosovë.
“Kjo nuk ka qenë e arritur e vogël duke pasur parasysh përbërjen fetare të vendit dhe tendencat e vazhdueshme të Serbisë për të na paraqitur si diçka tjetër”, tha ai në RTV Dukagjini.
Hoxha megjithatë thotë se nuk qëndron ajo se Rugova ishte për themelimin e ushtrisë së Kosovës në atë kohë.
“Natyra politike e tij ishte në kundërshtim me konfliktin dhe luftën dhe këtë ai e shprehte edhe publikisht. Ai ka qenë i angazhuar edhe në uljen e tensioneve të vogla apo protestat. Ai konsideronte se çfarëdo acarimi do t’i shërbente Serbisë për të bërë gjenocidin që Serbia edhe e bëri”.
Analisti megjithatë thotë se Rugova kishte qartësi për vizionin e tij ka po shkonte Kosova.
“Forca politike që kishin ambicie më të mëdha në fund përfunduar në konturat që Rugova i vendosi. Zoti Thaçi që thoshte se do ta dënonte vizitën e Rugovës në Beograd në vitin 1998/99, në fund të karrierës kur erdhi në pushtet u bë Ibrahim Rugovë. Thaçi i mori të gjitha atributet politike të Ibrahim Rugovës që e kishte kritikuar vazhdimisht. Unë e shoh që në fund Rugova fitoi politikisht. Pavarësisht se Thaçi fitoi në zgjedhje, ai erdhi në pushtet si vazhdimësi e Rugovës [politikisht]. Thaçi kur erdhi në pushtet u shndërrua në atë që ishte Rugova paraprakisht”.
“Për fat të keq edhe tash zoti Kurti po shkon në atë drejtim. Në momentin që t’i e pranon që ekzistenca e shtetit varen nga bashkësia ndërkombëtare ti i ke pranu premisat që i ka vendosur Rugova. Historia po na tregon që Rugova kishte të drejt”, deklaroi tutje Hoxha./Telegrafi/