Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka zhvilluar një mëngjes pune me bizneset, të cilat i ka njoftuar rreth përfitimeve nga Marrëveshja për Nxitjen e Investimeve të Korporatës amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC).
Marrëveshjen e nënshkruar në fund të vitit të kaluar, Hoti e ka quajtur mundësi të mirë për bizneset, ku sipas tij do të hap një perspektivë për sektorin privat.
“Pas shpalljes së pavarësisë, marrëveshja më e madhe që ka nënshkruar Kosova është e ajo e MSA-së, e cila sjell investime të rregullta dhe tash është marrëveshja me DFC-në, e cila hap një perspektivë të jashtëzakonshme të sektorit publik dhe atij privat”, tha Hoti, përcjell Telegrafi.
Ai gjatë këtij takimi ka përmendur disa nga projektet që pritet të realizohen.
“Ne e kemi të qartë listën e projekteve dhe si do të financohen nga kjo marrëveshje, që është hekurudha Durrës – Prishtinë, gazsjellësi që vjen në Prishtinë, studimi i fizibilitetit në Liqenin e Ujmanit, është segmenti i autostradës Duhle – Lipjan, projekti i Brezovicës dhe disa projekte të tjera”, ka theksuar ai.
Hoti ka thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje hapet një dritare e pafund për të financuar projektet inovative të sektorit privat.
“Rëndësia e kësaj marrëveshje është për sektorin privat. Hapet një dritare e pafund për te financuar projekte inovative në këtë sektor. Mundësia e parë është financimi direkt në formë kredie. Mundësia e dytë është investimi në ekuitet i kompanive. Mundësia e tretë është garantimi i investimeve”, ka përfunduar Hoti.
Më 31 dhjetor 2020, Hoti dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett kishin nënshkruar këtë marrëveshje, e cila mundëson vënien në dispozicion të mbështetjes financiare të SHBA-së, veçanërisht në sektorin privat të Kosovës.
DFC përmes një shkrimi në Twitter, ka njoftuar hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje.
“Marrëveshja e re për nxitjen e investime e DFC-së ka hyrë në fuqi, duke i mundësuar DFC-së të vendosë gamën e saj të plotë të produkteve financiare në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kjo marrëveshje i pason vizitës së kryeshefit ekzekutiv i DFC-së, Adam Boehler që i bëri Kosovës në muajin shtator, pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator 2020 në Shtëpi të Bardhë. /Telegrafi/