Site icon Telegrafi

Horizon School dhe CodersHub prezantojnë sukseset e nxënësve në fushën e kodimit dhe programimit 

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Horizon School dhe CodersHub kanë nisur një partneritet të veçantë, duke  ju ofruar nxënësve mundësinë që të zhvillojnë shkathtësitë e tyre në fushën e teknologjisë. Ky  bashkëpunim ka shënuar fillimin e një periudhe të pasur me orë të veçanta të kodimit dhe programimit  të asistuar nga trajnerë profesionistë të teknologjisë informative. 

Horizon School, si një institucion arsimor i njohur për cilësinë e arsimit dhe përgatitjes së nxënësve për  sfidat e shekullit të 21-të, ka identifikuar rëndësinë e aftësive në fushën e teknologjisë informative dhe  kodimit. Në këtë kontekst, ata kanë gjetur një partner të fuqishëm si CodersHub, një kompani e  specializuar në fushën e teknologjisë informative.  

Në një ngjarje të organizuar nga Horizon School dhe CodersHub, nxënësit: Odet Morina, Ermal lbraj, Blend  Hasani dhe Olsi Amerllahu prezantuan punën e tyre në zhvillimin e platformave digjitale. Disa prej  sukseseve të dalluara të nxënësve për këtë periudhë katër mujore të bashkëpunimit përfshijnë zhvillimin dhe dizajnimin e faqeve/platformave të internetit me gjuhë të ndryshme programuese si HTML, CSS, PHP,  Java Script si dhe pjesëmarrjen e tyre në sfidat ndërkombëtare të programimit. Kjo ka krijuar një ambient  stimulues për nxënësit, duke i nxitur ata që të eksplorojnë dhe zhvillojnë potencialin e tyre në fushën e  teknologjisë informative. 

Drejtori i Horizon School, z. Bardh Ahmeti ka shprehur kënaqësinë për rezultatet e arritura deri më tani  dhe ka theksuar rëndësinë e përgatitjes së nxënësve për integrimin e tyre me sukses në shoqërinë e  orientuar drejt botës digjitale. Ai shtoi se përmes prezantimit të projekteve të tyre, nxënësit kanë demonstruar njohuri të avancuara në teknikat dhe gjuhët programuese të cilat i kanë fituar gjatë orëve të  mbajtura në shkollë. Vlerëson se këto projekte janë kompetitive me punën e programerëve profesionalë  që ndjekin trajnime në universitet apo shkolla të nivelit botëror.

Ahmeti shpjegoi se bashkëpunimi ndërmjet Horizon School dhe CodersHub ka për synim të avancojë njohuritë e nxënësve në fushën e kodimit, programimit, sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale dhe  fushave tjera të teknologjisë informative. Ndër të tjera, z. Ahmeti shprehu mirënjohje ndaj CodersHub për  kontributin e tyre në këtë rrugëtim të suksesshëm të përgatitjes së nxënësve, ku theksoi se përvoja e  jashtëzakonshme e trajnerëve të CodersHub ka bërë që për një periudhë të shkurtër, nxënësit të  aftësohen me njohuritë e nevojshme për zhvillimin e platformave komplekse.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e CodersHub janë shprehur të kënaqur me angazhimin dhe vullnetin e  nxënësve për të mësuar dhe përparuar në kodim dhe programim. Ata kanë premtuar vazhdimin e  përkrahjes dhe ndihmës për të gjithë ata që janë pjesë e kësaj sfide të pasur dhe frymëzuese. Trajneri i  CodersHub, Shkumbin Xhuraj, prezanton më hollësisht punën që është bërë deri më tani dhe gjuhët  programuese që janë përdorur. Ai shpjegoi se për zhvillimin e platformave, nxënësit kanë kombinuar disa  gjuhë programuese, siç janë HTML, CSS, PHP dhe JavaScript.  

Ndërkohë, trajneri Erion Prokshi nga CodersHub, shpjegon se si nxënësit janë ndarë dhe testuar në dy  grupe për të përcaktuar nivelin e tyre të njohurive. Bazuar në rezultatet e testimit, ata janë ndarë në dy  grupe: një grup për nxënësit me njohuri bazike dhe një grup për nxënësit me njohuri të avancuara. Në  këtë mënyrë, orët e kodimit dhe programimit janë organizuar për të përmbushur nevojat e secilit grup në  mënyrë efektive.

Horizon School dhe CodersHub synojnë të kenë bashkëpunim afatgjatë dhe së bashku të ju ofrojnë  nxënësve qasje në zhvillimet e fundit të teknologjisë informative. Tashmë, nxënësit e Horizon School kanë  përvetësuar në masë të madhe kodimin dhe programimin dhe synojnë që nga gjysmëvjetori i dytë të  vazhdojnë me eksplorimin e botës virtuale, inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe fushave të  tjera të rëndësishme, të cilat janë të pashmangshme dhe janë të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj.

Exit mobile version