Site icon Telegrafi

“Honeyland”: Një vepër e madhe dhe një dilemë morale

Gjithçka është si duhet: ngjarja, regjia, fotografia, montazhi dhe muzika. Një dokumentar që ka marrë tri vjet kohë e katërqind orë xhirime për ta finalizuar; i vetmi në historinë e çmimeve Oscar që është nominuar në dy kategori: Dokumentari më i Mirë dhe Filmi më i Mirë i Huaj. Një shkollë e mirë kjo për “artistët” fjalamanë të Kosovës e të Shqipërisë.

Ngjarja e dokumentarit “Honeyland” (Toka e mjaltit) zhvillohet në një fshat të braktisur të Maqedonisë së Veriut, ku në kushte të mjerimit ekstrem, në një shtëpi të vjetër e të keqe, pa ujë e pa rrymë, jetojnë një nënë e sëmurë buzë vdekjes (Nazifja) dhe e bija që kujdeset për të (Hatixhja). Dy gra turke, të vetmet në një fshat, në një botë që nuk ngjan me shekullin XXI. As me atë XIX, por më shumë me një botë distopike ku koha është ndalur në një hapësirë boshe e pa njerëz. Nëna është e lodhur nga jeta dhe të qenit barrë, ndërsa e bija s’e di as se çfarë është jeta. Këto dy gra që të prekin në shpirt sa herë i shikon fytyrat e tyre të përvuajtura, dëshmojnë se njeriu është më i fortë se guri. Por, dëshmojnë edhe indiferencën e shoqërisë.

Të vetmuara e të harruara nga toka e nga qielli, pasuria e vetme që kanë janë njëra-tjetra dhe bletët që i mbajnë gjallë. Kur papritmas një familje nomade vendoset pranë tyre, ata sjellin pak jetë në fshatin e harruar, por lakmia e tyre rrezikon bletët. Numri i tyre shkurtohet. Krimi ndodhë sepse, siç thotë shqiptari, bleta nuk ngordh, po vdes! Dhe, një “hakmarrje” e mistershme shkon te bagëtitë e fqinjit që do të detyrohet ta braktisë fshatin.

Është ky një rrëfim për një botë që po zhduket, për harmoninë e njeriut me natyrën; një vepër për vetminë, dashurinë, vuajtjen, sakrificën dhe forcën e madhe të njeriut, në veçanti të gruas; një film që të krijon empati aq të thellë saqë është e vështirë t’u bësh ballë lotëve jo veç kur vdes nëna Nazife e vetmia e Hatixhes bëhet e padurueshme…

Por… në këtë ngjarje është edhe një dilemë morale, që më së miri është shtjelluar nga Krzysztof Kieslowski te “Dekalogu” dhe te “Jeta e dyfishtë e Veronikës”: a duhet sakrifikuar artin për dashurinë (njeriun) apo dashurinë (njeriun) për art? “Toka e mjaltit” ngjan me të dytën, e rezultat i saj mund të merret fotoja “Coftinari dhe vajza e vogël” që Kevin Carterit i solli çmimin Pulitzer më 1993, por shumë e më shumë kritika për mungesë humanizmi. Ndaj, te ky dokumentar duket e vështirë të kuptosh sesi artistët mund t’i kalojnë tre vjet me një nënë e një vajzë që jetojnë në mjerim e të mos vërehet asnjë përpjekje e as një iniciativë për të lehtësuar atë gjendje, varfërinë e tyre, apo së paku për t’i lehtësuar çastet e dergjjes së Nazifes.

“Toka e mjaltit” ka marrë shumë çmime kinematografike, mbase do ta marrë edhe Oscarin, por ky sukses nuk mund të mos e ngërthejë edhe këtë dilemë: a ka vlerë arti kur anashkalohet njerëzorja e nuk ndihmohet njeriu në nevojë?

Sidoqoftë… këtë dokumentar duhet parë. Thjeshtë, ia vlen.

 

Exit mobile version