Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj katër të arrestuarve nga operacioni i fundit i Prokurorisë së Posaçme SPAK.
Ish-drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani si dhe Dadan Gjoni, Bujar Germizi dhe Bujar Ajeti do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Ndërkaq, Jonida Babameto do të hetohet me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje.
Grupi akuzohet për vepra të rënda penale, sigurim kushtesh për vrasje, trafik narkotikësh, pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit.
Për këtë dosje, SPAK lëshoi 11 masa sigurie, 5 prej të cilave u ekzekutuan, ndërsa 6 u shpallën në kvrkim. Mes të shpallurve në kerkim janë djali i Breçanit dhe Ervin Mata.
Ish drejtori i policisë, Erzen Breçani doli këtë të enjte para gjykatës së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ai ka deklaruar se nëse ndodhet në burg është për shkak të djalit të tij, i cili është shpallur në kërkim për trafik droge.
“Nëse jam në burg jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjëra të paligjshme. Nuk e di ça ka bërë, nuk kam prova me ça merret im bir. Vetë i kam shërbyer këtij shteti, ku kam vënë edhe jetën në rrezik”, ka thënë Breçani duke përmendur edhe aksionet policore dhe personazhet që ka arrestuar.