Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur sot se janë në përfundim të planit për hekurudhën Prishtinë-Durrës, e cila sipas tij do ta vendosë Kosovën në qendër tranziti rajonal për mallrat.
Në një konferencë për medie, Aliu tha se pas memorandumit të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe vizitës në Itali, kjo hekurudhë po e merr rrugën e vet.
Ai tha se shumë shpejt do të bëhet studimi i fizibilitetit ku del në pah koha, kosto dhe traseja e hekurudhës.
“Ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza kur mund të hartojmë planin, i cili përfundon shpejt dhe do të na jep qartë afatet kohore dhe koston për këtë projekt. Pas studimit të fizibilitetit do të jetë e qartë edhe traseja e kësaj hekurudhe. Ne kemi ndarë 1 milion euro për këtë studim”, tha Aliu.
Ndryshe, për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, hekurudha e planifikuar Durrës-Prishtinë ka edhe rëndësi gjeopolitike, jo vetëm ekonomike.
Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se linja hekurudhore Durrës-Prishtinë, “është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike, pasi ndihmon edhe rajonin, fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen”. /KP/