Pas dështimit të takimit të sotëm të thirrur nga kryetari Hyseni mbi buxhetin, kryetari i LDK-së dega në Gjilan, Lutfi Haziri ka mbajtur konferencë për media.
Gjatë kësaj konference, Haziri ka theksuar se si subjekt politik janë të gatshëm të gjejnë një kompromis për ta tejkaluar situatën e krijuar mbi buxhetin.
Haziri thotë se LDK do ta mbështet buxhetin për Gjilanin, por që sipas tij, buxheti elektoral vetëm për një njeri nuk kalon.
“Duhet zbatim strikt i letrës së ministrit Elbert Krasniqi, duhet të shkojmë sipas hapave që janë caktuar, nuk i ndryshojmë numrat sepse e dimë çka është ndryshimi i kodeve buxhetore”, ka thënë Haziri, duke theksuar se adaptimi i kodeve buxhetore, subvencionet, grandet, shpenzimet dhe investimet do të harmonizohen në përputhje me kornizën afatmesme buxhetore.
Haziri shtoi se tendenca e kryetarit Hyseni për të fajësuar opozitën duke thënë se punëtorët do të mbesin pa paga, është e gabuar.
“Kjo është qasje e gabuar, është mendësi e keqe. Përçaj e sundo nuk vlen në kohë të demokracisë”, shtoi ai.
Përveç kësaj, Haziri theksoi se ekzekutivi nuk u pranuan asamblistët e LDK-së nga angazhimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Kemi provuar dje që të adaptojmë vendin dhe orarin e përshtatshëm, mirëpo Hyseni nuk i ka pranuar asnjërën nga këto”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/