Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit siç e quan ai në largim, Albin Kurti, lidhur me doracakët për edukimin seksual.
Haziri ka akuzuar Kurtin për përdorimin e sofizmit, mashtrimeve dhe keqinterpretimeve të realiteteve në jetën publike.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, Haziri theksoi se “krejt jeta publike e Kurtit, kryeministrit në largim, përshkruhet me sofizëm, mashtrime e keqinterpretime të realiteteve, me qëllimin e vetëm – pushtetin, pa i zgjedhur mjetet.”
Haziri e akuzoi Kurtin se ka tentuar ta “keqinterpretojë realitetin” dhe po e përdor fushatën propagandistike për të viktimizuar veten, ndërkohë që, sipas tij, “edukimi seksual është pjesë e ideologjisë së tij dhe ky doracak skandaloz është bërë me qëllim.”
Duke vazhduar akuzat ndaj Kurtit, Haziri tha se “ata që kanë besuar se mund të jenë edhe me Zotin e edhe me komunistat, kanë gabuar,” duke shtuar se tragjedia më e madhe është se një pjesë e hoxhallarëve janë bërë “ateist” dhe e kanë shpallur vetën “myfti.”
Ish-kryetari i Gjilanit gjithashtu u shpreh optimist për të ardhmen e Kosovës, duke deklaruar se “Rruga e Re për Kosovën, në krye me Lumir Abdixhikun, tashmë është përqafuar nga shumica e kosovarëve, sepse ne besojmë Zot, Familje e Atdhe.”
Ai përfundoi duke theksuar se “LDK, besë dhe shpresë për Kosovën!”./Telegrafi/