Site icon Telegrafi

Haxhiu për ligjin për Këshillin Prokurorial: Kushtetuesja e goditi reformën në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për shpalljes si të pavlefshëm të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) nga Gjykata Kushtetuese ka thënë se është një goditje për reformën në drejtësi.

Në  RTV Dukagjini, Haxhiu ka thënë se problemi me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese është se në njërën anë konfirmon koorporatiizmin e Këshillit Prokurorial por thotë në anën tjetër se nuk mund t’u ndërpritet mandati.

“Prej korrikut të vitit 2022 ky projektligj është në Gjykatën Kushtetuese pra gjashtë muaj që të analizojë këtë. Me këtë përvec që i është dhënë goditjes reformës në drejtësi e kam thënë që mund të na vonojnë edhe zvarrisin, është mbrojtje e koorporatizmit”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përbërja aktuale e Këshillit Prokurorial të Kosovës është e padrejtë.

“Duke e konsideruar si një përbërje të padrejtë, si një mos balancim, për faktin se siç është vlerësuar edhe nga Komisioni i Venecias, kemi konsideruar që përbërja prej 10 prokurorëve në një organ i cili ka përgjegjësinë për menaxhimin e sistemit prokurorial, që kanë lidhje të ngushta me njëri tjetrin, pak a shumë nëse e shihni edhe kur janë zgjedhë anëtarët ka pasur reagime të fuqishme nga partnerët tanë…, edhe për mënyrën se si janë bërë pazaret për t’u zgjedhur anëtarët pastaj edhe vetë strategjia për sundimin e ligjit që ka zgjatë diku katër vite ka sugjeruar që të ulet numri. Duke qenë që anëtarët e KPK nuk kanë mandat kushtetues, zgjidhen sipas ligjit, kemi vlerësuar që duhet të bëhen ndryshimet në ligj”, është shprehur ajo.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Sipas një njoftimi për media të premten, kjo gjykatë ka bërë të ditur, se pas vlerësimit të ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.

Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial. Duke numëruar konstatimet për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur që “të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

Palët që kishin parashtruar kërkesën ishin ankuar edhe se ndryshimi i përbërjes zvogëlon proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, e, sipas pretendimeve, vendimmarrja e një institucioni të pavarur kushtetues do të nënshtrohej ndaj vullnetit politik të shumicës në Kuvend, që do t’i zgjidhte anëtarët joprokurorë të Këshillit.

Në Ligjin e kontestuar, KPK-ja parashihej të përbëhej nga shtatë anëtarë, përfshirë Kryeprokurorin, dhe tre anëtarë prokurorë të përzgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre joprokurorë.

Në të kaluarën KPK-ja përbëhej nga nëntë anëtarë prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre anëtarë joprokurorë të përzgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të Odës së Avokatëve dhe Fakulteteve Juridike dhe konkursit publik.

Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se përbërja, proporcioni në mes të anëtarëve prokurorë të përzgjedhur dhe joprokurorë, me garancitë për të shmangur “politizimin”, ky ligj s’ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Kushtetuesja ka thënë po ashtu se përzgjedhja e anëtarëve joprokurorë me shumicë të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë në Kuvend, s’është në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykata ka sqaruar që kompetenca e Avokatit të Popullit për të zgjedhur anëtarë joprokurorë të KPK-së s’është në përputhje me Kushtetutën.

Ky ligj ka paraparë po ashtu që vendimmarrja të bëhet me pesë vota nga shtatë anëtarët, me kushtin që në shumicë të jetë të paktën një votë e një anëtari joprokuror.

Kjo, sipas Kushtetueses, s’është në përputhje me pavarësinë kushtetuese. Në aktgjykim thuhet se “vendimmarrja në KPK, do të mund të kushtëzohej nga vota e njërit nga anëtarët joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë”.

Gjykata ka arsyetuar shpalljen e pavlefshme të ligjit me “vështirësitë e zbatimit të tij”.

Exit mobile version