Site icon Telegrafi

Harris mban fjalimin e parë pas humbjes, ka disa fjalë edhe për Trumpin

Kamala Harris ka mbajtur fjalimin e parë pas humbjes në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Kandidatja demokrate për presidente i është drejtuar mijëra mbështetësve që po e prisnin në oborrin e Universitetit Howard në Uashington DC.

Ajo duke buzëqeshur para mijërave mbështetësve nisi fjalimin duke thënë se “sot zemra ime është plot”.

“Plot mirënjohje për besimin që më keni dhënë, plot dashuri për vendin tonë dhe plot vendosmëri”, tha 60-vjeçarja, shkruan skynews.

Zëvendëspresidentja thotë se rezultati mund të mos ketë qenë ai që dëshironim, por “më dëgjoni kur them se ‘Drita e premtimit të Amerikës do të ndriçojë gjithmonë’. Dhe për sa kohë që ne vazhdojmë të luftojmë”.

Harris vazhdon “jam krenare me garën që bëmë dhe mënyrën si e zhvilluam atë.

Gjatë fushatës së shkurtër arritëm të krijonim komunitete dhe koalicioneve, duke bashkuar njerëz nga çdo shtresë e jetës”.

Demokratja tha se sot përmes telefonit ia uroi fitoren Donald Trumpit.

“I thashë gjithashtu se do ta ndihmojmë atë dhe ekipin në tranzicionin e tyre dhe se do të angazhohemi për një transferim paqësor të pushtetit. Një parim themelor i demokracisë amerikane është që kur humbim zgjedhjet, ne i pranojmë rezultatet. Ky parim, si çdo tjetër, e dallon demokracinë nga tirania”.

Ajo thekson se amerikanët nuk besatohen një presidenti apo një partie, por kushtetutës, ndërgjegjes dhe Zotit.

“Besnikëria ime ndaj të treve është arsyeja pse jam këtu për të thënë: ndërsa i pranoj këto zgjedhje, nuk e pranoj luftën që nxiti fushatën”, thotë zëvendëspresidentja amerikane.

“Lufta për liri, për mundësi, për drejtësi dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve. Të gjithë luftojnë për idealet e kombit tonë, idealet që pasqyrojnë Amerikën në më të mirën tonë. Kjo është një luftë nga e cila nuk do të heq dorë kurrë. Nuk do të heqë dorë kurrë nga lufta për një të ardhme ku amerikanët mund të ndjekin ëndrrat, ambiciet dhe aspiratat e tyre, ku gratë e Amerikës kanë lirinë për të marrë vendime për trupin e tyre”, shtoi ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, demokratja tha se ka “një thënie që një historian e quajti ligj të historisë, e vërtetë për çdo shoqëri gjatë shekujve”.

“Kjo thënie është ‘Vetëm kur është mjaft errësirë, mund të shihni yjet’”, pohoi ajo.

“E di që shumë njerëz ndihen sikur po hyjmë në një periudhë të errët, por për mirëqenien tonë të gjithëve, shpresoj që të mos jetë kështu.

“Por nëse është kështu, le të mbushim qiellin me dritën e një miliardi yjesh brilante, dritën e optimizmit, të besimit, të së vërtetës dhe të shërbimit”, përfundoi 60-vjeçarja.

Ndryshe, Harris ka pësuar humbje kundër kandidatit republikan, Donald Trump, i cili u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas katër viteve. /Telegrafi/

 

Exit mobile version