Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar edhe njëherë lidhur me situatën e krijuar, pas mosarritjes së një marrëveshjeje për targat në takimin e së hënës në Bruksel, në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiqi.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “zgjidhja më e mirë do të ishte pranimi i kërkesës amerikane në kohë”.
“Në situatën e krijuar tani, duhet të gjendet një zgjidhje, e cila mund të mos jetë e përkryer. Por, pa zgjidhje për gjendjen në veri të vendit, situata është keq dhe drejt eskalimit”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, takohen të mërkurën (sot) në Bruksel për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.
Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje të hënën, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. /Telegrafi/