Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar.
Haradinaj ka thënë se AAK i ka ofruar Gjakovës qeverisjen shembullore.
“Për disa mandate me radhë, Aleanca qytetit të Gjakovës po i ofron qeverisjen shembullore. Kryetari Ardian Gjini me ekipin e tij i kanë dhënë shtytje të jashtëzakonshme përparimit dhe zhvillimit të këtij qyteti, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit që i bëhet nga niveli qendror”, u shpreh Haradinaj.
Ai ka shtuar se qeveria e Kosovës ka dështuar në tema të mëdha.
“Sot, në mbledhje të përbashkët të kryesisë qendrore me struktura të Aleancës në Gjakovë, folëm për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta. Fatkeqësisht, Qeveria jonë ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan e qytetarin e ka bërë më të varfër”, deklaroi Haradinaj.
Sipas tij, AAK me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar.
“Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke e ka larguar vendin nga rruga e saj euro-atlantike dhe synimi ynë madhor, anëtarësimi në NATO. Por ne do e ndihmojmë Kosovën të dalë nga kjo situatë. E them me plot bindje se Aleanca me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar, përkrah Amerikës dhe botës demokratike”, ka përfunduar Haradinaj.