Site icon Telegrafi

Hapet tenderi për dizajnimin dhe ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, pritet të përfundojë brenda 2 vitesh

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se është publikuar njoftimi për prokurim, për shërbimet konsulente për rishikim të dizajnit dhe mbikëqyrje të punimeve në rrugën N2 Prishtinë-Mitrovicë.

Aliu me anë të një shkrimi në Facebook tha se shërbimet në fjalë priten të mbulojnë një periudhë 25 mujore.

“Sot është publikuar Njoftimi Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente për Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrjen e Punëve Ndërtimore në Rrugën N2 Prishtinë-Mitrovicë, me gjatësi 9.78 kilometra. Shërbimet do të mbulojnë një periudhë prej njëzet e pesë (25) muaj kalendarik nga data e fillimit ku përfshihen: 3 muaj shqyrtimin e dizajnit, përgatitjen e dosjes së tenderit, procedurat e prokurimit dhe vlerësimin e ofertave, 20 muaj periudha e mbikëkqyrjës se punimeve dhe 2 muaj periudha e finalizimit të projektit”, shkruan Aliu.

Ai ka ftuar kompanitë vendore dhe ndërkombëtare të dorëzojnë propozimet e tyre.

“Ftohen të gjitha kompanitë konsulente ndërkombëtare dhe vendore të interesuara që ti dorëzojnë propozimeve e tyre”, përfundon ai.

Qysh në vitin 2009 kishin filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, edhe tash pas rreth 14 vjetëve punimet janë zvarritur për ndërtimin e kësaj magjistraleje duke mos arritur të finalizohen.

Lexo po ashtu Zvarritja 10 vjeçare e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, qytetarët thonë se kjo është e papranueshme

Punimet në këtë rrugë kanë ngecur duke mos mundur të finalizohen për shkak të problemeve të shpronësimit në atë pjesë. /Telegrafi/

Exit mobile version