Site icon Telegrafi

Hajdari: Kemi komoditet, por nuk varemi nga skuadrat tjera

Trepça ’89 e ka nisur furishëm stinorin pranveror në elitën e futbollit kosovar.

‘Minatorët’, triumfuan me rezultat të thellë 4-0 ndaj Drenicës, ku me dy gola u dallua Fiton Hajdari.

Kjo fitore i lë në pozitën e parë mitrovicasit me gjashtë pikë diferencë nga ndjekësit, Llapi, Prishtina dhe Feronikeli.

Sulmuesi llapjan thotë për Telegrafin, se tani kanë komoditet më shumë nga skuadrat ndjekëse.

“Drenica më është bërë skuadër e preferuar për të shënuar, pasi një gjë të tillë e kam bërë edhe në Skenderaj”, thotë Hajdari duke qeshur.

Ai flet edhe për rivalitetin për titull, ku beson në fuqitë e skuadrës së tij.

“Ne kemi gjithçka në dorën tonë sa i përket titullit të kampionit. Nuk jemi duke u varur nga skuadrat tjera”.

“Them të drejtën nuk i shikojmë se çka bëjnë. Kemi komoditet pasi jemi gjashtë pikë diferencë dhe synojmë ta thellojmë këtë epërsi të pikëve”, tha Hajdari për Telegrafin.

Hajdari deri më tani ka shënuar shtatë gola në kampionat, ndërsa ka edhe dy të tjerë në Kupë.

“Ka shkuar mbarë ky vit, por shpresojë të vazhdoj me këtë ritëm të shënoj edhe më shumë gola”, përfundoi sulmuesi këmbëshpejtë. /Telegrafi/

Exit mobile version