Telegrafi

Guardiola e fton në turneun parasezonal një lojtar që nuk ka kontratë me Man Cityn

Manchester City ka fluturuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës atje ku do të zhvillojnë disa ndeshje miqësore dhe ka një befasi në mesin e lojtarëve të ftuar.

Pjesa më e madhe e ekipit të parë të ‘Qytetarëve’ do të mungojë për shkak se janë në pushime pas angazhimeve në Euro 2024 dhe Copa America respektivisht.

Jack Grealish, Erling Haaland, Ederson, Stefan Ortega, Oscar Bobb, Kalvin Philipps dhe Scott Carson që të gjithë janë prezent, ani pse pjesa më e madhe e grupit është e ndërtuar nga lojtarët e rinj që janë të etur të lënë shenja.

Në total 27 lojtarë kanë udhëtuar me Cityn, në mesin e të cilëve njëri nga ta nuk ka fare kontratë me ta.

Amar Fatah, një sulmues 20-vjeçar, është përzgjedhur. Suedezi luan për Troyesin dhe kaloi sezonin që lamë pas në formë huazimi tek Lommel SK në Belgjikë që është në pronësi të City Football Group.

Sipas The Athletic, Fatah ka kaluar kohë në Mançester për të marrë tretman mjekësor për një lëndim që ka pësuar.

Në këtë mënyrë ai do të shoqërojë pjesën tjetër të ekipit në Amerikë, teksa në të njëjtën kohë do të bëjë hapin e radhës drejt rikuperimit.

Amir Fatah dhe Pep Guardiola

Kjo do të jetë një mundësi e madhe për Fatah, i cili nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me AIK-un në Suedi në nëntor të vitit 2021.

Ai në fakt po shkon atje si një lojtar në prova, por Manchester Evening News ka raportuar se nuk ka asnjë mundësi që ai të nënshkruajë me kampionin në fuqi të Anglisë./Telegrafi/