Site icon Telegrafi

Guardiola bën ankesë të çuditshme pasi ekipi i tij u detyrua të udhëtonte me autobus

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka frikë se ekipi i tij do të ndihet i rraskapitur pasi që ata nuk do të mund të udhëtojnë me avion pas ndeshjes ndaj Newcastle të mërkurën.

City do të jetë mysafir i Newcastle në mesjavë në kuadër të “Carabao Cup” dhe zakonisht do të rikthehej në Manchester me avion, por tani ata do të duhet të udhëtojnë me autobus për shkak se Guardiola tha se ka një problem me avionin e tyre.

Kampionët në fuqi të Evropës dhe Anglisë do të kthehen në shtëpi më vonë se sa pritej për shkak të udhëtimit pesë orë e gjysmë me autobus, kështu që do të pritet të kthehen në Mançester rreth orës 2 të mëngjesit të së enjtes.

Më pas ata do të duhet të udhëtojnë te Wolves të premten për t’u përgatitur për ndeshjen e Ligës Premier të shtunën, duke e lënë Guardiolën të shqetësuar për gjendjen e lojtarëve të tij.

“Pas ndeshjes nuk mund të kthehemi me avion për shkak të një problemi. Ne nuk kemi avion për të udhëtuar në Manchester, kështu që duhet të marrim një autobus”, tha ai para gazetarëve.

“Nuk e di se çfarë ndodhi [me avionin]. Më tha menaxheri i ekipit. Ka ndodhur një herë me atë të mëparshmin në Londër. Nuk kam ndonjë problem me autobusin, por do të arrijmë shumë, shumë më vonë se sa që pritej, por duhet të pajtohemi me këtë”, vazhdoi tekniku spanjoll.

Manchester City e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë edicion të garave teksa pas javës së gjashtë në elitën e futbollit anglez, ata janë lider të tabelës me 18 pikë të tubuara./Telegrafi/

Exit mobile version