Site icon Telegrafi

Greenberg: Jemi të gatshëm për takimin e sotëm ndaj Polonisë

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll sonte do të përballet me Poloninë në kuadër të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Basketbollistët tanë prej 19 shkurtit janë në përgatitje të përbashkëta në Poloni, ku për tri ditë kanë qëndruar në qytetin Torun, derisa më pas janë zhvendosur në Wloclawek, ku edhe do të zhvillohet dueli me polakët.

Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës, ka folur para takimit duke thënë se beson te lojtarët e përzgjedhur për këtë takim të rëndësisshëm.

“Lojtarët janë angazhuar maksimalisht gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve, të cilat është më se e qartë se nuk janë të mjaftueshme për të përgatitur një Përfaqësuese. Megjithatë djemtë kanë punuar mjaft mirë në stërvitje, atmosfera është shumë e mirë dhe besoj se jemi të gatshëm të ballafaqohemi me Poloninë, ku presim se do të jetë një lojë mjaft interesante”.

“Kemi dëgjuar se palestra do të jetë e mbushur dhe kjo është një gjë pozitive për lojtarët tanë, pasi ata do të jenë të motivuar për të luajtur para një publiku në numër të madh”.

“Ekipi është në formë të mirë, andaj na mbetet që të hyjmë në fushë dhe të bëjmë më të mirën kundër një ekipi që është në pozitën e 28-të në botë dhe pse jo të mos tentojmë t’i befasojmë”, tha trajneri amerikan.

Lexo po ashtu Dardan Berisha: Do të përpiqemi për rezultat pozitiv

Takimi mes këtyre dyja ekipeve pritet të startojë me fillim nga ora 19:00 në qytetin Wloclawek. /Telegrafi/

Exit mobile version