Site icon Telegrafi

Golden Eagle Ylli me suksesin e radhës në Ligën Unike, mposht skuadrën Kamza Basket

(Foto: ligaunike.com)

Golden Eagle Ylli ka regjistruar fitoren e radhës, duke mundur Kamza Basket në udhëtim me rezultat 56-89 (13:31, 19:28, 16:19, 8:11), në xhiron e 12-të të Ligës Unike.

Vetëm pesë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë, 9:9, dhe më pas mysafirët filluan të dominojnë, ku qysh në çerekun e parë kishin deri në 18 pikë epërsi, 13:31, rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë. Therandasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke e ngritur epërsinë, ku më e larta ishte 29 pikë, 28:57, ndërsa pjesa e parë përfundoi me shifrat 32-59.

Kampionët e Ligës Unike e menaxhuan epërsinë edhe në pjesën e dytë, duke mos e rrezikuar fitoren për asnjë moment. Epërsia e tyre në periodën e tretë shkoi deri në 30 pikë, 44:74, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 48:78. Dhjetë minutat e fundit ishin vetëm formalitet, me fituesin që tashmë dihej, dhe Ylli triumfoi me rezultat 56-89.

Te Kamza Basket u dalluan Eric Williams me 18 pikë e tetë kërcime dhe Edson Gjoka me 14 pikë e tetë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Erjon Kastrati me 20 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime dhe Henrik Sirko me 19 pikë e shtatë asistime.

Kamza Basket ka dy fitore e dhjetë humbje, ndërsa Golden Eagle Ylli ka 11 fitore dhe një humbje.

Exit mobile version