BE, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara sapo kanë lëshuar një deklaratë të koordinuar që dënon pushtimin rus.
“Ndërsa forcat ruse kryejnë sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto që do ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona”, kanë thënë ata.
Masat që do të zbatohen në ditët në vijim përfshijnë heqjen e “bankave të zgjedhura ruse nga sistemi i mesazheve Swift”.
Por çfarë është Swift?
Swift është arteria financiare globale që lejon transferimin e qetë dhe të shpejtë të parave përtej kufijve.
Shkëputja e Rusisë nga sistemi global i pagesave SWIFT do të ishte një nga sanksionet më të ashpra që Perëndimi mund të vendosë.
Por kjo do të sillte gjithashtu dhimbje për bankat e huaja dhe kreditorët e tjerë që bëjnë biznes me këtë vend, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Sistemi, i cili ka selinë e tij në Belgjikë, përdoret nga më shumë se 11,000 institucione financiare në më shumë se 200 vende dhe territore për të dërguar para dhe informacion tek njëri-tjetri.
Ai është një ingranazh i rëndësishëm në sistemin financiar botëror dhe i mbikëqyrur nga bankat qendrore në Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Evropë.
Dhe masa do të kishte një ndikim të madh, duke dëmtuar ekonominë ruse menjëherë dhe në afat të gjatë.
Kjo do ta pengojë Rusinë nga shumica e transaksioneve financiare ndërkombëtare, duke përfshirë fitimet ndërkombëtare nga prodhimi i naftës dhe gazit, të cilat në përgjithësi përbëjnë më shumë se 40% të të ardhurave të vendit. /Telegrafi/