Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike në afërsi dhe rreth liqenit të Ujmanit ka ngritje të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit Lepencit.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur po ashtu se impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas nuk kanë mundësi teknike të trajtojnë ujin për pije.
“Të nderuar konsumatorë ju njoftojmë se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike në afërsi dhe rreth liqenit të Ujmanit kemi ngritje të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit Lepencit. Impianti i Trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas, nuk kanë mundësi teknike të trajtojnë ujin për pije”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu sipas njoftimit, për shkak të gjendjes alarmante me vërshime dhe turbullirë të ujit në kanalin e Ibër Lepencit çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë do të ketë në disa vende.
“Për shkak të gjendjes alarmante me vërshime dhe turbullirë të ujit në kanalin e Ibër Lepencit, përveç Fushë Kosovës, Drenasit, Zonës Industriale dhe lagjes Kalabria në Prishtinë, çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë sot do të kenë edhe: lagjja ‘Kodra e Trimave’ dhe të gjitha zonat që furnizohen me ujë nga rezervuari i Mirditës si : lagjja e Muhaxhirëve, lagjja Dodona, Taslixhe, Aktash, Bregu i Diellit dhe të gjitha zonat e Matit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftimin e KRU “Prishtina”, thuhet se një situatë e tillë vazhdon deri në përmirësimin e situatës me turbullirë në kanal.
“Mbeteni të njoftuar , deri në vendimin e radhës, varësisht nga situata me vërshime dhe reshje atmosferike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KRU “Prishtina”. /Telegrafi/