Hetuesit rusë kanë gjetur kutinë e zezë të aeroplanit që u rrëzua të mërkurën në Tver të Rusisë, ku supozohet se humbi jetën shefi i grupit të Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe nëntë persona të tjerë që ishin në bordin e fluturakes.
Komiteti hetimor tha gjithashtu se trupat e gjetur në vendin e rrëzimit do t’i nënshtrohen testit gjenetik për të konfirmuar identitetin e tyre, transmeton Telegrafi.
Prigozhin – së bashku me drejtues të tjerë të grupit mercenar Wagner – besohet të ketë qenë në aeroplanin që u rrëzua në mënyrë misterioze të mërkurën. Ende nuk është paraqitur asnjë provë konkrete për të vërtetuar vdekjen e tyre.
“Hetimi do të kontrollojë me kujdes të gjitha versionet e mundshme të asaj që ka ndodhur”, tha komiteti në Telegram.
Komiteti shtoi se “sendet dhe dokumentet që janë të rëndësishëm për të vërtetuar të gjitha rrethanat e rrëzimit janë gjithashtu duke u sekuestruar” për ekspertizë mjeko-ligjore.
Pavarësisht se janë gjetur regjistruesit edhe trupat, mund të kalojë shumë kohë para se të dalin të dhënat e hetimit zyrtar.
Kutitë e zeza përmbajnë sasi të mëdha të të dhënave të fluturimit për t’u analizuar, si dhe regjistrime audio të kabinës. /Telegrafi/