Bashkë-drejtori i GERMIN, Lirim Krasniqi dhe drejtori gjeneral i Telegrafi.com, Gentian Lluka, sot nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.
Memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim rritjen e prezencës së diasporës në media.
Çdo herë kur flitet për diasporën ne media shqipfolëse përmenden shifrat: Kaq qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit; Kaq para kanë hyrë në Kosovë nga remitancat; Mërgimtarët presin me orë në kufi; – e lista ku diaspora cilësohet si shifër mund të vazhdojë edhe më gjatë.
GERMIN dhe Telegrafi dëshirojnë ta ndryshojnë kursin se si raportohet për diasporën, përmes dedikimit të një rubrike të veçantë në këtë medium ku do të paraqiten bashkëpatriotët tanë në një mënyrë ndryshe ngase jemi mësuar t’i shohim.
Telegrafi dhe GERMIN kanë rënë dakord që përmes këtij bashkëpunimi tu jepet zë qytetarëve të diasporës në mënyrë që t’i shfaqim fytyrat dhe historitë përtej numrave.
GERMIN si një urëlidhëse në mes të Diasporës me vendlindjen dhe Telegrafi si një medium kredibil me shtrirje të gjerë, çdo muaj përmes artikujve dhe podcasta-ve do të pasqyrojë histori njerëzore të padëgjuara më parë.