Të martën është bërë e ditur lista me 20 pjesëmarrësit e përzgjedhur për edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës në Radio Televisionin Shqiptar.
Jashtë listës është lënë këngëtari i njohur i muzikës ‘rock’, Mentor Haziri, pasi kënga e tij është cilësuar si e papërshtatshme nga juria e shqyrtimit të aplikimeve.
Kundrejt kësaj ngjarjeje ka reaguar vet artisti me prejardhje nga Ferizaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku akuzonte festivalin për korrupsion dhe diskriminim ndaj artistëve nga Kosova.
“Sot fatkeqësisht e vërtetova këtë të keqe dhe po ashtu vërtetova se ai festival s’i do shqiptarët nga Kosova aty sepse bëjnë konkurencën. Asnjë nga Kosova nuk është konkurrent aty këtë vit, po bash këtu dua të ndërlidhem. Një gjë dua të potencoj që kosovarja Rona Nishliu ua zbardhi fytyrën në Eurovision dhe sot performanca dhe kënga e saj kosovare dëgjohet ende nëpër botë dhe është këngë historike e Eurovisionit. Marre ju qoftë juve – Komisioni i turpit: Ardit Gjebrea, Elton Deda, Klodian Çafoku, Marjan Deda, Zefina Hasani, Arta Marku, Redi Treni – që u frikësuat aq shumë nga një shqiptar i Kosovës sa që nuk ia dhatë mundësinë as të garoj me të tjerët sepse jeni mësuar me festivale orgjish ‘playback’-u gjë që fatkeqësisht unë s’e bëj dot, por këndoj live”, ka shkruar Haziri ndër të tjerash.
Lidhur me krejt këtë, ka pasuar një kundërpërgjigje nga këngëtari tjetër i njohur i muzikës ‘rock’, Genc Salihu.
Ai në një status të bërë në rrjetin social Facebook, ka kundërshtuar fjalën “korrupsion” në festival, duke ia kujtuar Mentorit pjesëmarrjet e tij të mëparshme në Festivalin e RTSh-së.
Salihu madje ka rikthyer në vëmendje edhe festivalin e para dy viteve, kur Elvana Gjata ishte renditur e dyta, duke e quajtur këngën e saj qesharake dhe të papërshtatshme për të qenë fituese.
Ky është reagimi i plotë nga Genc Salihu (pa ndërhyrje):
“Sa here vjen koha e RTSH fest, me duhet me scroll neper idhnimet e atyne qe nuk u osht pranu kanga. ‘Korrupsion’. Te njejtit, shpesh, kane marre pjese ma heret & jane knaqe, por sot ‘e vertetuan se festivali qenka i ndyre’.
A dini cka? Kur ta boni nji kange te hajrit, e nuk ju pranohet, publikojeni ta ndigjojme se sa i korruptuem qenka festivali.
Sot, krejt cka nuk na pelqen, e quejme ‘korrupsion’.
PS – normal qe Elvana Gjata nuk fiton me kange stupid! S’mundet kurrkush me i pase krejt cka don, all the time, vec pse i ka dajët e forte”. /Telegrafi/